Ambasada e SHBA dhe ajo e Gjermanisë kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij. Dënimi i dhënë konsiderohet si një hap para në sundimin e ligjit. Ndërkohë prokuroria tha se po pret vendimin e zbardhur për të bërë ankim kundër rrëzimit të katër akuzave dhe lehtësimit të dënimeve për 5 anëtarët e grupit.

Tirane-  Fillimisht ishte ambasada amerikane që reagoi në lidhje me vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për dënimin e Emiljano Shullazit dhe grupit të tij me 55 vjet heqje lirie. Sipas ambasadës, vendimi shënoi një hap domethënës përpara për qytetarët shqiptarë që kërkojnë dhe meritojnë drejtësi të vërtetë nga sistemi i tyre gjyqësor.

Deklarata e plote e ambasades amerikane: Dita e djeshme shënoi një hap domethënës përpara për qytetarët shqiptarë që kërkojnë dhe meritojnë drejtësi të vërtetë nga sistemi i tyre gjyqësor. 

Ne u inkurajuam nga puna e prokurorëve shqiptarë, të cilët, duke u bazuar në prova, bindën gjykatësit e Krimeve të Rënda se një bos i krimit dhe kriminelë të tjerë e kanë vendin në burg. 

Përshëndesim shqyrtimin e kujdesshëm të këtij rasti. 

Vendimi i marrë është një fitore për sundimin e ligjit në Shqipëri. Qytetarët shqiptarë tani pyesin “Kush e ka radhën”?

Ndërkohë edhe ambasada gjermane në Tiranë, theksoi se vendimet e Gjykatës për Krimet e Rënda të bëra të ditura ditën e djeshme tregojnë, që askush nuk qëndron mbi ligjin. 

Reagimi i ambasadores gjermane Schütz: E kam ndjekur me shumë vëmendje procesin ndaj pesë të pandehurve në çështjen Emiljano Shullazi dhe përshëndes faktin që tanimë është marrë një vendim në shkallë të parë. Vendimet e Gjykatës për Krimet e rënda të bëra të ditura ditën e djeshme tregojnë, që askush nuk qëndron mbi ligjin, sikundër nënvizojnë forcën e shtetit ligjor në Shqipëri.
Është e rëndësishme që drejtësia shqiptare të vazhdojë të veprojë kundër krimit të organizuar mbi bazën e ligjit dhe të drejtës. Përmirësimi i bilancit të sukseseve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga detyrat qendrore të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Prokuroria do apeloje
Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje Emiljano Shullazin me 14 vite burg për disa vepra penale si ajo e krijimit të një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa u shpall i pafajshëm për kërcënimin ndaj rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni dhe paraardhësit të tij, Dhori Kule. Ndërkohë i gjithë grupi u dënua gjithsej me 55 vite burg.  Pak kohë më parë SHBA ofroi mbështetjen e saj për prokurorët që do mbronin dosjen e bandës Shullazi në gjykatë. 

Ndërkohë Prokuroria e krimeve të rënda duket se është në pritje të vendimit të zbardhur nga gjykata, me qëllim apelimin e tij iudhur me uljen e masave të dënimit por edhe rrëzimin e katër akuzave.


/Ora News.tv/