Përkeqësimi i raporteve mes SHBA-së dhe Turqisë ka arritur një tjetër stad pas këmbënguljes së Ankarasë për të mos u tërhequr nga një marrëveshje me Rusinë. Pakti i vitit 2017 për blerjen e një sistemi raketor rus shihet si rrezik nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë të NATO-s, por Ankaraja zyrtare thotë se nuk do i nënshtrohet presionit.

Shtetet e Bashkuara kanë rritur tensionet me Turqinë pas refuzimit të kësaj të fundit për të ndalur bashkëpunimin ushtarak me Rusinë.

Uashingtoni raportohet se ka urdhëruar ndaljen e trajnimit të pilotëve turq me avionët e vet gjuajtës "F-35" dhe i ka kufizuar personelit turk aksesin në manualet dhe materialet e klasifikuara të Pentagonit.

Masat vijnë pak ditë pasi SHBA-ja i vendosi Turqisë 31 korrikun si ultimatum që të anulonte marrëveshjen për sistemin raketor "S-400".

SHBA-ja e sheh sistemin rus si kërcënim për flotën e vet ajrore dhe aleatët e tjerë të NATO-s pasi mendohet se ai është i aftë të diktojë dhe rrëzojë gjuajtësit "F-35".

Uashingtoni i ka sugjeruar Ankarasë që ta zëvendësojë armën ruse me alternativën "Patriot" të prodhuar në Shtetet e Bashkuara.

Turqia lidhi marrëveshje me Rusinë për sistemin "S-400" në dhjetor të vitit 2017, pasi negociatat për variantin amerikan dështuan edhe për arsye financiare.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në vazhdimësi ka deklaruar se nuk do ta anulojë marrëveshjen me Rusinë.

Kryediplomati i vendit, Mevlut Çavusoglu, gjithashtu ka kërkuar që vendit të tij të mos i bëhet presion për të zgjedhur mes NATO-s dhe Rusisë.

Zhvillimet e fundit kanë shtuar zërat se nëse kërkesat dhe kërcënimet e palës amerikane do të vijojnë, Turqia mundet edhe të shkëputet tërësisht nga aleanca ushtarake e NATO-s.



/Ora News.tv/