Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, Wess Mitchel qëndroi të martën në Shkup, ku theksoi mbështetjen amerikane për reformat që po zbaton vendi si dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e emrit. Zoti Mitchel, megjithatë tha se nevojitet një zgjidhje afatgjatë me angazhimin e të dyjapalëve. Ai tha se dyert e NATO-s mbeten të hapura. Kryeministri maqedonas Zoran Zaev vazhdon të jetë optimist për zgjidhjen e shpejtë të problemit në mënyrë që vendi i tij të ftohet për anëtarësim në samitin e aleancës që mbahet në muajin korrik.

Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropen, Wess Mitchel në Shkup u takua vetëm me kryeministrin Zoran Zaev. Më pas në një konferencë për mjetet e informimit zoti Mitchel tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin Maqedoninë dhe Greqinë në përpjekjet për gjetjen një zgjidhjeje të përbashkët të problemit të emrit.

Zyrtari i lartë amerikan tha se Maqedonia ka bërë hapa të mëdhenj përpara, ndërsa theksoi angazhimin e SHBA me palën greke, e cila gjithashtu ka bërë hapa gjigandë në këtë drejtim.

“Zgjidhja e vetme do të ishte një zgjidhje afatgjatë”, tha Ndihmës-Sekretari Mithcel, duke nënvizuar se “janë bërë përpjekje të mëdha dhe se ekziston një mundësi shumë e mirë për t’i dhënë fund këtij problemi”.

Sa i përket integrimit të Maqedonisë në NATO, zoti Mitchel tha se kjo nuk lidhet me ndonjë datë, ndërkohë që përsëriti qëndrimin amerikan për gjetjen e zgjidhjes së problemit me emrin që do t’ia hapte rrugën Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së.

I pyetur mbi mundësinë e përfshirjes së qeverisë amerikane në ndërmjetësimin midis Greqosë dhe Maqedonisë, zyrtari amerikan tha se SHBA kanë interes strategjik dhe politik për të gjitha parimet për të cilat angazhohen në Ballkan nga perspektiva e NATO-s dhe BE-së.

“Do t’i shihni Shtetet e Bashkuara të përkushtuara fuqimisht në këtë proces si dhe mua dhe administratën të angazhuar në ndihmën e të dyja palëve”, tha ai, duke përsëritur se“zgjidhja e vetme që do të zgjasë do të jetë ajo që do të dalë nga vetë bashkëpunimi i të dyja palëve”.

Kryeministri Zaev tha se të dy palët, maqedonase dhe greke janë dakord që procesi duhet të vazhdojë nën udhëheqjen e Kombeve të Bashkuara, ku duhet bërë verifikimi përmes rezolutave dhe votimit.

Zaev tha se ndihma e vendeve mike është e mirëpritur, “sidomos kur vjen nga një mik strategjik si Shtetet e Shtetet e Bashkuara”.

Brenda pak ditësh në Shkup pritet të vijë ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias me një dokument ku do të jenë paraqitur kushtet dhe kërkesat greke lidhur me kapërcimin e problemit shumëvjeçar rreth emrit të Maqedonisë. /VOA/

/Ora News.tv/