Një rezolutë e Kombeve të Bashkuara që synon ngritjen e mekanizmave për të mbrojtur viktimat e përdhunimeve në vendet në konflikt rrezikon të bllokohet me veto nga ShBA-ja. Kjo ndodh për shkak të gjuhës së përdorur në tekst në lidhje me riprodhimin dhe shëndetin seksual. Ndërkohë shtetet europiane po rezistojnë për të mbrojtur të drejtat e grave.

Shtetet e Bashkuara po kërcënojnë të bllokojnë me veto në Kombet e Bashkuara një rezolutë për luftimin e përdhunimit si një mjet lufte për shkak të gjuhës së përdorur në tekst në lidhje me riprodhimin dhe shëndetin seksual.

Lajmi është njoftuar nga zyrtarë të lartë të OKB-së dhe disa diplomatë europianë me qëllim për të rritur presionin ndaj Uashingtonit.

Misioni gjerman në Kombet e Bashkuara shpreson ta miratojë rezolutën gjatë sesionit të posaçëm të Këshillit të Sigurimit, thirrur të martën.

Por që tani rezolutës i është hequr një prej elementëve më të rëndësishëm, themelimi i një mekanizmi për të vrojtuar dhe raportuar mizoritë e luftës për shkak të kundërshtive të ShBA-së, Rusisë dhe Kinës.

Por edhe pas heqjes së pjesës kryesore të rezolutës, Uashingtoni kërcënon ta bllokojë me veto tekstin, sepse përmban fjalë që lidhen me mbështetjen e viktimave të përdhunimit dhe planifikimin familjar.

Në muajt e fundit, administrata e presidentit Trump ka rritur tonet dhe kundërshton me forcë të miratojë çdo rezolutë të Kombeve të Bashkuara që i referohet shëndetit seksual apo riprodhues me pretendimin se kjo gjuhë nxit mbështetjen për abortin.

Më herët ShBA-ja ka përdorur presionin diplomatik për të mos lejuar hetimin e krimeve të ushtarëve amerikanë në Afganistan.

Shtetet europiane, të udhëhequra nga Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca, kanë rezistuar deri tani për të mbështetur planifikimin familjar dhe klinikat e shëndetit të grave, pasi besojnë se dorëzimi do të nënkuptonte mohimin e rezultateve që ka sjellë përpjekja ndërkombëtare e të drejtave të grave.

/Ora News.tv/