Ish-këshilltar i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Michael Flynn është akuzuar bashkë me të birin, se do të merrnin 15 milionë dollarë për kapjen e klerikut mysliman Fethullah Gulen dhe dërgimin e tij në Turqi.

“Wall Street Journal” njoftoi të premten se prokurori special Robert Mueller është duke hetuar një komplot të dyshuar të Michael Flynn.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e sheh klerikun Fethullah Gulen si armik të shtetit dhe u ka kërkuar në vijimësi Shtetet e Bashkuara të ekstradojnë atë.

Gazeta raportoi se agjentët e FBI-së kanë kërkuar dëshmi nga të paktën katër persona rreth një takimi në mes të dhjetorit të shkuar midis Flynn dhe një përfaqësuesi nga qeveria turke, ku kanë diskutuar për vënien e Gylenit në një avion privat dhe dërgimin e tij në ishullin turk Imralias.

NBC News njofton se hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu akuzat për diskutimet në të njëjtin takim, ku Flynn u pagua për ofertën e Turqisë, ndërsa shërbente si këshilltar i sigurisë kombëtare të Presidentit Trump.

Takimi u mbajt në Klubin '21' të qytetit të Nju Jorkut, vetëm disa blloqe nga Trump Tower, ku Flynn po punonte në atë kohë si pjesë e ekipit të tranzicionit të presidentit të zgjedhur.

NBC News raportoi se Mueller po shqyrton gjithashtu nëse Flynn dhe turqit  diskutuan në takimin e dhjetorit se si të lirohej tregtari i arit turko-iranian, Reza Zarrab, i cili po përballet me akuza federale se ka ndihmuar iranianët për t'iu shmangur sanksioneve të SHBA.

NBC gjithashtu vuri në dukje shifrën prej 15 milionë dollarësh, ndonëse sugjeroi që do t'i paguhej Flynn në qoftë se ai mund të arrinte të lirohej Zarrab dhe Gulen të burgosej në Turqi.

Takimi i dhjetorit ishte një bisedë pasuese për një diskutim që ndodhi në shtator midis Flynn-it, dhëndrit të Erdoganit dhe ministrit të jashtëm të Turqisë, një takim ku mori pjesë ish-drejtori i CIA-s James Woolsey.

Woolsey i tha gazetës në mars se ai mbërriti në takim pasi pjesëmarrësit diskutuan se si të merrnin Gulen pa kaluar procesin formal të ekstradimit.

Zyrtarët turq biseduan për largimin me forcë të Gylenit nga Shtetet e Bashkuara, i cili jeton në Pensilvani. Qeveria e Erdoganit ka fajësuar Gulen për grusht shtetin e dështuar të 20 korrikut 2016, megjithëse ka shumë dritë-hije rreth këtij komploti.


/Ora News.tv/



/Ora News.tv/