Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve ushtarake në Libi, të nisura katër ditë më parë nga gjenerali renegat, Kalifa Haftar.

Ministri i Jashtëm amerikan, Majk Pompeo, tha të dielën se Uashingtoni është thellësisht i shqetësuar nga konflikti i fundit që ka shpërthyer në kryeqytetin e vendit, në Tripoli.

"Fushata e njëanshme ushtarake kundër Tripolit po rrezikon jetën e banorëve dhe po minon perspektivën për një të ardhme më të mirë për të gjithë libianët. Të gjitha palët kanë përgjegjësi për ç'tensionim urgjent të situatës, pasi konflikti në Libi nuk zgjidhet me ndërhyrje ushtarake por vetëm me unitet politik,"-tha Pompeo.

Reagimi i administratës amerikane, por edhe i Këshillit të Sigurimit të OKB-së më herët, vjen pasi në pjesën jugore të kryeqytetit libian të dielën u raportuan të paktën 21 të vrarë dhe 90 të plagosur nga pjesëtarët e ushtrisë proqeveritare dhe asaj rebele të gjeneral Haftarit.

Prej datës 4 prill, përplasjet mes dy forcave të armatosura u kanë marrë jetën 35 civilëve dhe ushtarakëve nga të dyja palët.

Ushtria vendase për Paktin Kombëtar dhe ajo Kombëtare e gjeneralit rebel vijojnë të ndeshen për territoret e shtetit të pasur me naftë prej vitit 2011, kur revolta popullore çoi në rrëzimin nga pushteti dhe më tej në ekzekutimin e ish-udhëheqësit të vendit, Muamar Gadafi.

Prej javës së kaluar, luftimet kanë detyruar forcat amerikane të dislokojnë kontingjentin e tyre ushtarak nga vendi për arsye sigurie.

/Ora News.tv/