SHBA, 11 mld dollarë tarifa kundër BE

SHBA, 11 mld dollarë tarifa kundër BE

Subvencionet që Bashkimi Europian i ka dhënë prodhuesit francez të avionëve "Airbus" ndër vite, kanë nxitur autoritetet amerikane që të paralajmërojnë sanksione të reja tregtare në formën e tarifave ndaj dhjetëra specialiteteve europiane. Pala amerikane pretendon se subvencionet i kanë sjellë vendit dëme në masën 11 miliardë dollarë.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar tarifa shtesë deri në 11 miliardë dollarë ndaj Bashkimit Europian pasi politikat e subvencionimit që unioni zbaton prej vitesh po dëmtojnë konkurrencën.

Agjencia amerikane për tregtinë ndërkombëtare informon se vendimi është marrë bazuar në konkluzionet e një raporti të Organizatës Botërore të Tregtisë, ku pala europiane fajësohet se me faljet e vazhdueshme fiskale e ka vënë prodhuesin francez të aeroplanëve, "Airbus", në konkurrencë të padrejtë përballë rivalit amerikan, "Boeing".

Zëdhënësi i "Airbus" tha se akuzat për dëme rreth 11 miliardë dollarë që i janë shkaktuar SHBA-së si pasojë e subvencioneve nga BE-ja janë të ekzagjeruara.

Sipas zyrtarëve amerikanë, tarifat disamliarddollarëshe pritet të hyjnë në fuqi brenda pak muajsh nëse Bashkimi Europian nuk ndërron qëndrim.

Lista e produkteve që do të prekeshin më së shumti nga kjo betejë e re tregtare përfshin disa specialitete europiane, siç janë avionët e pasagjerëve, tipe të ndryshme djathërash dhe verërash, disa modele motoçikletash apo veshjesh të sipërme.

Tarifat e propozuara do i shtoheshin atyre që SHBA-të kanë vendosur prej vitit të kaluar ndaj importeve të çelikut dhe aluminit nga Europa, dhe rreth 2,8 miliardë euro tarifa që BE-ja miratoi në përgjigje ndaj produkteve me origjinë amerikane.

Bashkimi Europian deklaroi të martën se tarifat e reja amerikane nuk kanë gjasë të aprovohen nga Organizata Botërore e Tregtisë, porse autoritetet europiane mbeten të gatshme të marrin masa reciproke.

EMISIONET