Në konferencën e sotme për shtyp, zhvilluar në ambientet e klubit verilindor, një ditë përpara sfidës me Partizanin, mbrojtësi i Kukësit, Gëzim Krasniqi foli përpara gazetarëve për situatën në ekip, përballjen me ish-skuadrën e tij, ndryshimin e skemës së lojës si dhe situatën e Reginaldos.

“Të jem i sinqertë, ndeshja e nesërme përballë Partizanit është shumë emocionuese për mua, pasi prej disa vitesh kam qenë pjesë e të kuqve. Dikur, kur isha pjesë e ekipit kryeqytetas, ‘luftoja’ për të mundur skuadrën e Kukësit' ndërsa sot ndodh e kundërta. Është një ndeshje e veçantë dhe shpesoj të arrijmë që ta fitojmë këtë sfidë. Ka ardhur koha që edhe ekipin e Partizanim "ta ulim me këmbë në tokë". Si ish lojtar i të kuqve kam biseduar me trajnerin Cungu dhe me zëvendës trajnerin Hallaçi për disa element të veçantë që skuadra e Partizanit i disponon.

"Nëse skuadra jonë e humbet këtë sfidë nuk duhet ta humbasë nga gabimet tona, por me meritë të kundërshtarit, ndërkohë që i kemi marë të gjitha masat për të mos ndodhur një gjë e tillë. Unë kam respekt për klubin e Partizanit si dhe tifozët, pasi kam kaluar një kohë të konsiderueshme në atë skuadër."

"Do të dëshiroja shumë që ndeshja e nesërme të luhej më praninë e tifozëve e të dyjave ekipeve. Skema e re 3-4-3, e aplikuar 3 ndeshjet e fundit, ka rezultuar me sukses, pasi kemi arritur të marim pikët maksimale gjatë tre ndeshjeve të fundit. Sa i takon situatës së sulmuesit Reginaldo mund të them që mozambikasi ka qenë i shpërqëndruar për arsyet e tij familjare, por tashmë është stërvitur mirë me skuadrën dhe shpresoj që të ndikojë në fitoren e ndeshjes.”-tha Krasniqi.

/Ora News.tv/