Do mundohem që ta bëj sa më të shkurtër dhe të qartë daljen time, duke pasur parasysh që shumëçka duhej thënë nga ana jonë, e tha më së miri miku im i dashur, Duško, me të cilin sot kemi diskutuar ndër të tjera, edhe për domosdoshmërinë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, duke u fokusuar tek reduktimi maksimal i barrierave jo tarifore.

E vërteta është që, nëse do të vëmë në një peshore, nga njëra anë nivelin e marrëdhënieve njerëzore dhe politike mes dy vendeve dhe nga ana tjetër, nivelin e marrëdhënieve tregtare, jemi shumë të mirë për dashuri, por jemi shumë dobët me tregtinë. Kthimi i dashurisë në tregti është një proces jo i lehtë, por besoj që dashuria është një bazë shumë e mirë për të zhvilluar edhe tregtinë, në kushte besimi të madh reciprok.

Besoj që hapi i hedhur nga të dy drejtuesit e Dhomave të Tregtisë dhe ardhja këtu e të dy grupeve të biznesit janë një moment i rëndësishëm dhe ajo që unë do propozoja është që Vlasimiri dhe Inesi, sëbashku me të gjithë ata ndër ju që janë të interesuar të marrin pjesë në këtë proces, të na propozojnë një raport rekomandimesh konkrete se çfarë duhet bërë, sipas jush, nga ana jonë si dy qeveri, për të lehtësuar shkëmbimet tregtare dhe çfarë prisni ju nga secila prej qeverive, për të qenë më aktivë dhe për të investuar më shumë në këtë marrëdhënie ekonomike.

 

Unë e konfirmoj edhe nga ana ime gatishmërinë që me shumë forcë Duško e konfirmoi, për të qenë tërësisht mikpritës ndaj çdo investitori potencial nga Shqipëria në Mal të Zi. Është absolutisht simetrike dhe reciproke edhe për ata që duan të investojnë nga Mali i Zi në Shqipëri. Patjetër që ne kemi bërë dhe do vazhdojmë të bëjmë përpjekje për të gjithë aspektet që kanë të bëjnë me përmirësimin e situatës ekonomike dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Por kam bindjen që, nëse arrijmë të ndërtojmë një proces më ndërveprues mes nesh dhe jush, kemi mundësi të mësojmë konkretisht nga ju që e jetoni në jetën reale çdo ditë, atë që ne e themi dhe e materializojmë përmes legjislacionit, në mënyrë që të mësojmë gjithçka duhet mësuar, pa humbur kohë dhe të bashkëpunojmë për të adresuar gjithçka mund dhe duhet të adresohet në funksion të intensifikimit të këtij raporti ekonomik, që është shumë i dobët në raport me marrëdhënien shumë, shumë të mirë njerëzore dhe politike. 

Do të ishte shumë e vështirë, nëse kjo e dyta do të ishte e komplikuar, por, për fat të mirë, marrëdhënia politike mes të dy vendeve, mes dy qeverive është e shkëlqyer dhe është një bazë absolutisht e favorshme për të zhvilluar më tutje bashkëpunimin ekonomik dhe në fund të fundit, për të çuar përpara një traditë që ka qenë e pranishme mes komuniteteve në të dy anët e kufirit, përpara sesa të na ndante për së gjalli periudha pas Luftës së Dytë Botërore që për një kohë shumë të gjatë e ndërpreu këtë marrëdhënie e pastaj me të gjitha problematikat dhe hallet që ka pasur secili nga vendet në tranzicionin e vështirë demokratik, ka vonuar shumë ripërtëritjen dhe ringjalljen e plotë të një historie që ka qenë një histori komplet e natyrshme mes dy kombeve tona dhe të dy komuniteteve në të dy anët e kufirit.

Duke e mbyllur, se besoj që e meritojnë të gjithë miqtë që kanë ardhur nga Mali i Zi që ta shijojnë Shkodrën në të gjithë shkëlqimin e diellit të saj, ju falënderoj shumë për praninë që të gjithëve dhe ju kërkoj leje që t’i japim Kryeministrit dhe qeverisë tuaj një drekë të të njëjtit nivel, si ajo që kemi ngrënë kur kemi ardhur në Mal të Zi, se kemi një “hak” për të marrë, sepse janë për momentin në avantazh përsa i përket standardit të mikpritjes.


*Fjala e mbajtur në forumin e biznesit Shqipëri-Mali i Zi

/Ora News.tv/