Mbledhja e parë qeveritare pas mbarimit të pushimeve, nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha ka pasur si kryefjalë të saj, sezonin turistik. Duke e konsideruar si sezonin turistik më të paprecedentë në gjithë historinë e vendit, Berisha tha se ky sezon turistik ka njohur një rekord numri turistësh, si në bregdet ashtu edhe në mal, ndërsa vlerësoi si produktivitet të tij plot 190.000 vende pune për qytetarët shqiptarë. “Shqipëria ka marrë turistë të huaj rreth 277 mijë më shumë gjatë 7 muajve të parë të vitit se sa një vit më parë. Pushuesit shqiptarë dhe të huaj bënë që të fuqizohet më tej si degë kryesore në ekonominë shqiptare dega e turizmit. Ata bënë që vetëm nga kjo degë të krijohen në vend 190 mijë vende pune. Një shifer rekord. Të gjithë ata të cilët udhëtojnë nga Velipoja në Ksamil konstatojnë morinë e jashtëzakonshme të vendeve të punës që funksionojnë në këtë sektor”- tha Berisha. Kryeministri Berisha të gjitha frytet e arritura në këtë drejtim i`a atribuoi investimeve të shumta të Qeverisë, ku numëroi 220 milionë euro investime për këtë sektor gjatë këtij viti, të shpërndara në infrastrukturë, ujësjellësa, kanalizime e energji, ndërsa nuk ka lënë pa falenderuar edhe autoritetet vendore për angazhimin dhe punën e tyre për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Ndërkaq Berisha teksa numëroi arritjet në turizëm nuk ka lënë pa shigjetuar edhe kryesocialistin Edi Rama, ku u shpreh se “ai dhe kasnecët e tij hedhin baltë duke cituar qytetet, fakt ky që nuk i bën nder PS dhe askujt. Nuk mund të mohojnë angazhimin e vendorëve. Ata të cilët sulmojnë Vangjushin për Durrësin, e kanë me ligësi. Tu biesh sirenave që ra numri i pushuesve në plazh, ku jo vetëm nuk janë pakësuar por janë shtuar me 40-60% është e patolerushme. Ky breg është për tu zbuluar, është për tu zhvilluar”. Ndërkaq Berisha nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferrit, ku vlerësimet e shprehura nga ana e tij për kontributin e Xhaferrit në jetën politike dhe cështjen shqiptare në terësi janë shoqëruar edhe me një minutë heshtje nga ai dhe Ministrat e kabinetit qeveritar.

/Ora News.tv/