Sërish më pak para në buxhetin e shtetit

Sërish më pak para në buxhetin e shtetit

As aksioni antiinformalitet, as ndryshimet ligjore fiskale të mesvitit, as akti normativ i qeverisë (që shkurton me 40 miliardë lekë planin vjetor të realizimit të të hyrave fiskale) dhe as vonesa antiligjore e deklarimit të treguesve të konsoliduar fiskalë , nuk ka bërë “derman” për Arben Ahmetajn, dikasteri i të cilit për të shtatin muaj me rradhë nuk arrin të realizojë planin ligjor të të hyrave fiskale. As në janar dhe as edhe në korrik nuk është bërë e mundur të grumbullohen, as të ardhurat sa ligji i shtetit e detyron Ministrinë e Financave dhe agjencitë në varësi të saj.
Tashmë Ministria e Financave raporton të hyrat fiskale krahasuar me një vit më parë dhe jo me planin apo në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto!

Kështu edhe pse deri në korrik mungojnë më shumë se 65 milionë euro në arkën e shtetit, Ministria e Financave thotë se të ardhurat totale për 7 mujorin 2018 u realizuan 7.3 miliardë lekë më shumë se 7 mujori i vitit 2017.

Edhe pse ligjërisht të ardhurat e cilësuara si “kontribute” të mbledhura nga DPT për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, nuk mund të jenë pjesë integrale e treguesve fiskale të konsoliduar të tatimeve (sepse DPT është thjesht agjent fiscal i ISSH), ato raportohen si të ardhurat e arkëtuara nga “tatimet dhe doganat” dhe janë 8 miliardë lekë më shumë se 7 mujori i vitit 2017, por përsëri më poshtë se sa plani i vitit (!). Kujtojmë se të ardhurat nga kontributet në DPT janë 52 miliardë lekë, oser 3,5 miliardë lekë më shumë se plani, për të kuptuar se sa të ardhura u mbeten arkëtimeve “nga tatimet dhe doganat”!?

Por Ahmetaj dhe vartësit e tij nuk arrijnë të realizojnë as të ardhurat nga “Taksa Doganore” që janë rreth 100 milionë lekë më pak se 7 mujori i vitit 2017 dhe 8 % më pak kundrejt planit të periudhës, as të ardhurat nga “Akciza” që janë vetëm 93.2% kundrejt planit të periudhës, as të ardhurat nga “Renta Minerare” në eksport që janë realizuar me një rritje 19.7% më shumë krahasuar me 7-mujorin e vitit 2017, por vetëm në masën 80% të planit të periudhës. Këto të ardhura duhet të ishin tejkaluar, nëse merret në konsideratë fakti se krahasuar me vitin e kaluar të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë rritur, si rezultat i rritjes së sasisë së eksportuar dhe si rezultat i rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare.
“Qershia mbi tortë” e mosrealizimeve janë të ardhurat nga “TVSH” me realizim kundrejt planit në masën 95%. Ministria e Financave ka rimbursuar 1.4 miliardë lekë më shumë se 7-mujori i vitit 2017, por u ka borxh kompanive edhe 145 milionë euro të parimbursuara (!)
Nuk po flasim më tej për shifrat, se ato vërtet të pezmatojnë dhe të tregojnë se “performancën” për të cilën flet qeveria, e ka hedhur “në kosh” administrata fiskale, që në muajt e aksionit në sektorin e turizmit, jo vetëm nuk e ka ndihmuar buxhetin e shtetit të rrisë të ardhurat, (arkëtimet janë 3.1 për qind më të ulta se plani fillestar ose 8.2 miliardë lekë (65 mln euro) më pak), por ka bërë që ritmet e rritjes vjetore janë ulur dukshëm në vetëm 2.9 për qind, përqindja më e ulët që nga viti 2013-ta!

Mos harrojmë: Nisur nga ecuria jo e mbarë e të ardhurave fiskale, qeveria shqiptare, nëpërmjet një akti normative ka ulur planin e të ardhurave të këtij viti me rreth 40 miliardë lekë (të vjetra)! Ku do shkojmë? /AEI/

EMISIONET