Produksioni Kozeta Kurtit, me regjinë të Fatos Berishës për herë të parë në një skenë shqiptare ngjiti "At Sergi".

Novela e njohur e trajton njeriun si qenie humane të brishtë, që gabon, që fal, merr hak, që pendohet, që joshet, që tundohet nga të qenët i lirë.

Producentja Kurti shpjegoi risitë që sjell kjo shfaqje për publikun shqiptar.

Kozeta Kurti: "Si është ajo shprehja e famshme 'Le të ngrejë dorën i pari që thotë nuk kam mëkatuar dhe të gjithë të tjetrët i shkojnë pas'. Çdo njeri që pretendon se nuk është i udhëhequr nga epshi, nga dyshimi, nuk ka gabuar, nuk ka mëkatuar, në fakt është gjithçka nga këto dhe mbi të gjitha është edhe pak gënjeshtar në fund të ditës. 

Nuk ka shpikuar askush as ujin e nxehtë nga fillimi dhe as rrotën në këtë shfaqje. Mendoj se është loja e aktorëve shumë e vërtetë. Berisha erdhi këtu për të lexuar tekstin për herë të parë dhe tha dua të jeni ju të vërtetë në ndjesinë që keni për njeriun dhe raportet që keni si njerëz."

Trupa e mrekullueshme e aktorëve të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është bërë bashkë për të sjellë të gjallë një rrëfenjë për njeriun, të bukurën dhe të shëmtuarën e qenies sonë pa rezerva. 

“At Sergi” shfaqet premierë në Teatrit Kombëtar Eksperimental dhe do të vijojë reprizat përgjatë gjithë fundjavës.

Novela 'At Sergi' është shkruar në vitin 1890 nga autori i njohur i letërsisë ruse, Leon Tolstoi.

/Ora News.tv/