Sekuestrohet 4 kg heroinë në Portin e Durrësit, destinacioni në Itali

Sekuestrohet 4 kg heroinë në Portin e Durrësit, destinacioni

Një sasi prej 4 kg heroinë është sekuestruar në Portin e Durrësit.  

Droga u zbulua në një kamion me targa AA 519 TJ që priste të imbarkohej në tragetin e linjës Durrës-Ankona. Sipas Policisë, droga kishte si destinacion veriun e Italisë dhe u zbulua nga qeni antidrogë.

Shoqërohet drejtuesi i kamionit-Policia shoqëroi drejtuesin e kamionit, shtetasin Bledar Shqarthi, 29 vjeç, banor i qytetit të Durrësit. Agjentët Antidrogë kishin siguruar në rrugë operative informacione të sakta për trafikimin e kësaj lënde narkotike dhe po prisnin në pikën kufitare ku kishin organizuar edhe aksionin për kapjen e saj dhe arrestimin e poseduesit që është pikërisht shoferi i kamionit.

Menjëherë sapo është afruar në terminal, policia i bëri shenjë drejtuesit të kamionit të spostohej pasi do të ushtronin kontroll.

Droga u zbulua nga qeni-Ndërkohë, qeni antidrogë po acarohej dhe duke nuhatur shkoi direkt në kabinën e shoferit ku edhe ndodhej lënda narkotike. Mësohet se lënda narkotike u gjet në çantën që mbante drejtuesi i mjetit dhe ishte e ndarë në tetë pako, me peshë të përgjithshme rreth katër kilogramë.

Kamioni ishte i ngarkuar me konfeksione dhe kishte destinacion Italinë. Menjëherë Policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit dhe po e merr në pyetje, për të zbuluar më tepër rreth drogës dhe kush është rrjeti i trafikut.

Drejtuesi i kamionit nuk ka dhënë informacion për drogën- Nga burime mësohet se 29-vjeçari nuk ka bashkëpunuar me agjentët e policisë, por i është përgjigjur vetëm pyetjeve për emrin, destinancionin ku do shkonte dhe vendin ku ai punonte.

Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, sasia e drogës, e cila si destinacion mendohet se kishte Italinë nuk ka lidhje me firmën e materialeve, por ka qenë vetë shoferi që ka tentuar ta trafikonte drejt vendit fqinj. Në këto kushte, hetuesit presin të zbulojnë nëpërmjet shoferit grupin kriminal që trafikon lëndë narkotike përtej Adriatikut.




EMISIONET