Sektori i agropërpunimit ankohet për fuqi punëtore. Këtë fakt e pohoi dhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, gjatë vizitës në një fabrikë të përpunimit të prodhimeve bujqësore në Lushnje.

Çuçi: Çështja e fuqisë punëtore mbetet gjithmonë një problem, personalisht kam qenë në favor dhe kam ngritur nevojën që tregu i punës të hapet sidomos për sektorin e bujqësisë dhe peshkimit sepse përditë po përballemi me situata të tilla ku sipërmarrje të ndryshme në sektorin e bujqësisë, agropërpunimit dhe peshkimit e frenojnë rritjen e prodhimit vetëm sepse i mungon fuqia punëtore. Nuk gjejnë dot punëtorë në Shqipëria.

Ministri Çuçi tha se indrustria e agropërpunimit është një nga shtyllat kryesore që do të vazhdojë të mbështetet me fonde përmes Skemës Kombëtare dhe Programit IPARD.

Çuçi: Ne do t’i japim përparësi sektorit të agropërpunimit. Është një nga sektorët që në të gjithë botën ka bërë ndryshimin në prodhimin bujqësor. Krahas promovimit të serrave apo sektorëve të tjerë të bujqësisë dhe zhvillimit rural, për ne agropërpunimi është gjithashtu një nga shtyllat e rëndësishme për të patur një rritje cilësore të prodhimit bujqësor. Ky biznes ka aplikuar edhe në programin IPARD dhe besoj se do të jetë i favorizuar.

Sipas Ministrit të Bujqësisë, stimulimi i industrisë agropërpunuese ndër të tjera krijon edhe  shumë vende të reja pune.


/Ora News.tv/