Sekretet për gylenistët, Haradinaj tregon se kur u vu në dijeni për deportimin

Sekretet për gylenistët, Haradinaj tregon se kur u vu në dijeni

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se për deportimin e gjashtë shtetasve turq më 29 mars të këtij viti, u njoftua nga një diplomat i huaj.

Këto komente kreu i qeverisë i bëri gjatë marrjes në pyetje nga komisioni hetimor parlamentar, i ngritur për rastin e arrestimit dhe deportimit të gylenistëve të Kosovës.

Haradinaj u dorëzoi anëtarëve të këtij komisioni një dokument, ku tregohet në mënyrë të detajuar e gjithë kronologjia e ngjarjes.

“E vërteta është siç e kam thënë në dokument. Jo vetëm më 29 mars, por është, pra hera e parë që unë kam marrë telefonatën dhe njoftimin është – ata janë larguar nga Kosova në 10:50 – ndërsa unë informatën e kam marrë diku mes orës 11 dhe 12”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj nuk përjashtoi që deportimin e shtetasve turq nga Kosova ta kenë kërkuar autoritetet turke të zbulimit, drejtuar Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Haradinaj, shtoi se për rastin në fjalë ka pasur vetëm dy shkelje, nxitimi i procedurës së dëbimit dhe mosinformimi i tij për gjithë aksionin.

I ftuar nga komisioni ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por ai ndodhet jashtë vendit.

Të gjashtë shtetasit turq u arrestuan dhe u dëbuan me një aeroplan të shërbimit turk të zbulimit më 29 mars, vetëm pak orë pasi u arrestuan nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Ankaraja i akuzon ata si anëtarë të organizatës Hizmet të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen.

Presidenti Erdogan e akuzon atë si organizatorin kryesor të grushtit të dështuar ushtarak të korrik të vitit 2016.

EMISIONET