Banka e Shqipërisë ka thirrur në një takim bankat e nivelit të dytë të cilave i ka kërkuar të kreditojnë më shumë ekonominë. Guvernatori Gent Sejko apeloi që ti kushtohet vëmendje sektorëve të cilët kanë potencial të lartë të kthimit të kredive. Nga ana tjetër kreu i shoqatës ë bankave Silvio Pedrazzi  u shpreh se bizneset duhet të paraqesin projekte më cilësore.

Tirane- Edhe pse gjatë 2018 sektori bankar ka dhënë 1.1 mld euro kredi të re përsëri kreu i Bankës Qendrore, Gent Sejko kërkoi më shumë vëmendje për financimin e ekonomisë.

Në takimin me drejtues të institucioneve financiare të nivelit të dytë Gent Sejko tha se duhet që të jepen kredi sidomos në ato sektorë që kanë potencial të lartë të kthimit të kredive.

Sejko: Ekonomia shqiptare ofron prospekte pozitive biznesi, të shoqëruara me potencial të lartë kreditimi dhe një rrezik të reduktuar kredie. Ky realitet dikton nevojën dhe mundësinë e një përqasjeje më kurajoze ndaj kreditimit.

Guvernatori Gent Sejko i kërkoi bankave që të shtojnë shërbimet.

Sejko: Përtej funksionit të tij primar, atë të ndërmjetësimit të fondeve, sektori bankar ka një rol esencial në sigurimin e shërbimeve të pagesave në ekonomi. Shkalla dhe eficienca e përmbushjes së këtij roli ka një korrelacion të drejtë me shkallën e përfshirjes financiare të popullatës, me eficiencën e përgjithshme të ekonomisë, si edhe – pse jo – me nivelin e formalizimit të saj.

Por kreu i shoqatës së bankave Silvio Pedrazzi kërkoi të hartohen projekte të reja për zhvillimin e biznesit

Pedrazzi: I bëj  thirrje bizneseve që të paraqesin projekte të reja për financim, projekte të cilat gjenerojnë rritje të punësimit në ekonomi. Shpreh angazhimin e sektorit bankar për të kontribuuar në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit. I rëndësishëm është edhe  forcimi përpjekjeve për të ulur shkallën e euroizimit të ekonomisë, por edhe përdorimin e lartë të parasë cash.

Sektori bankar shqiptar ka pasur një zhvillim të vrullshëm gjatë dy dekadave të fundit, ndërsa  administron rreth 2.4 milionë llogari individësh dhe ofron kredi për rreth 327 mijë njësi ekonomike, nga të cilat rreth 307 mijë individë apo familje, si dhe për  rreth 19 mijë biznese të vogla apo të mëdha.

/Ora News.tv/