Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti sot në një takim me Ambasadoren e Republikës Franceze në Tiranë, Christina Vasak, dhe Shefin e Sektorit Ekonomik Rajonal rezident në Sofje Jean-Marie Demange.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i njohu bashkëbiseduesit me zhvillimet ekonomike në vend, ku theksoi se rritja ekonomike është në trajektore pozitive zhvillimi dhe balancat kryesore ekonomike pritet të forcohen në vitet e ardhshme. 

Lidhur me sistemin financiar, Guvernatori Sejko u shpreh se ai karakterizohet nga nivele të kënaqshme kapitalizimi dhe likuiditeti. 

Guvernatori u ndal gjithashtu në panoramën e sektorit bankar, ku veçoi dy elemente kyçe, rritjen e kreditimit dhe përmirësimin e treguesit të kredive me probleme. 

Ai u shpreh se nxitja e mëtejshme e kredisë për ekonominë dhe zbatimi i planit për trajtimin e kredive me probleme mbeten në fokusin e Bankës së Shqipërisë.  

Sejko: Plani ndërinstitucional i ndërmarrë më qëllim uljen e kredive me probleme ka dhënë efekte pozitive, duke bërë që raporti i kredive me probleme ndaj kredisë totale të zbresë.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu lidhur me rolin mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit, në kuadër edhe të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. 

Guvernatori theksoi se ky është një proces mjaft i rëndësishëm dhe se institucionet në vend po bashkëpunojnë nëpërmjet shkëmbimit të informacionit, duke synuar forcimin e përqasjes së mbikëqyrjes të bazuar në rrezik.

Më tej, Guvernatori Sejko shtoi se sistemi bankar, si subjekt i ligjit të pastrimit të parave, ndodhet në proces zhvillimi dhe konsolidimi. 

Sejko: Parandalimi i pastrimit të parave ka qenë gjithashtu objekt monitorimi e vlerësimi, jo vetëm nga autoritetet mbikëqyrëse brenda vendit, por edhe nga institucionet ndërkombëtare të specializuara, të cilat kanë dhënë vlerësime mjaft pozitive, ndër të cilat mund të përmenden vlerësimet e Komitetit Moneyval.

Ambasadorja e Republikës Franceze në Tiranë, Christina Vasak dhe Jean-Marie Demange falënderuan Guvernatorin Sejko për takimin dhe shprehën vlerësimet e tyre për kontributin e vazhdueshëm që Banka e Shqipërisë jep në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.

Në përfundim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, nëpërmjet projekteve potenciale në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si ai financiar, infrastrukuror dhe rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri. 

  


/Ora News.tv/