Prokuroria paraqet prova të reja për Shullazin

Prokuroria paraqet prova të reja për Shullazin

Në një seancë të tensionuar që ka zgjatur më shumë se dy orë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka paraqitur në gjykatë prova shkresore për procesin ndaj Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të grupit të tij.

Mes dokumenteve të paraqitura në gjyq nga Prokuroria ishte edhe referim i policisë së shtetit i shkurtit 2016 ndaj shtetasve Lulzim Berisha, Plarend Dervishaj dhe Emiljano Shullazi.

Prokuroria tha se hetimet nisën për këtë të fundit në lidhje me kërcënimet dhe gjobëvëniet ndaj biznesmenëve. Në seancë u paraqiten edhe disa mesazhe në ëhatsapp që Ylvi Beqja i shkëmbente me një shtetas të tuaj duke i thënë se po e kërcënonin anëtarët e grupit të Shullazit.

Avokatët pretenduan se prokuroria nuk kishte verifikuar numrin marrës të këtyre mesazheve dhe pretenduan se Ylvi Beqja mund tja ketë dërguar vetëvetes ato. Në debat ka ndërhyrë prokurorja duke i thënë avokatëve që të mos marrin rolin e strukturave inspektuese dhe kontrolluese të punës së Prokurorisë. Por kjo ndërhyrje ka sjellë reagimin e Gilmando Danit i cili iu drejtua prokurores me fjalët "Ke dy vjet që na mban në burg pa asnjë provë".

Përfaqësuesja e akuzës i ka kujtuar të pandehurit se mbahet në burg me vendim gjykate, por Dani nga kafazi i hekurt ka thënë se prokuroria e di mirë pse mbahet në burg ai dhe shokët e tij.

Gjyqi është shtyrë pasi avokatët deklaruan se në seancën e ardhshme do të paraqesin kundërshtime me shkrim në lidhje me provat e paraqitura nga ana e prokurorisë.

 

EMISIONET