Pas kërcënimit se Koreja e Veriut do të tërhiqej nga samiti me Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut ka ofruar të ndërmjetësojë dialogun mes palëve, për të siguruar zhvillimin e takimit të planifikuar më 12 qershor. Ndërkaq, raportohet se Uashingtoni i ka kërkuar Penianit të transportojë jashtë vendit armët bërthamore dhe ka premtuar në këmbim heqjen e Koresë së Veriut nga lista e shteteve sponsor të terrorizmit.

Koreja e Jugut deklaroi se do të përpiqet të ndërmjetësojë dialogun mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, pasi Peniani kërcënoi të tërhiqet nga samiti mes udhëheqësit Kim Jong-un dhe presidentit Donald Trump, që do të zhvillohet në Singapor më 12 qershor. 

Të mërkurën, Koreja e Veriut deklaroi se mund të mos merrte pjesë në takimin historik nëse Uashingtoni zyrtar do të vijonte të kërkonte çarmatimin e njëanshëm bërthamor të vendit.

Mediat japoneze raportojnë se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Koresë së Veriut të transportojë jashtë vendit, disa raketa bërthamore, një raketë balistike ndërkontinentale dhe disa materiale të tjera bërthamore, brenda një periudhe kohore 6-mujore. 

Kjo mendohet të ketë qenë kërkesa e sekretarit amerikan të shtetit Mike Pompeo për udhëheqësin koreano-verior gjatë takimit të tyre në Penian, më herët gjatë këtij muaji. Mediat japoneze raportojnë se Pompeo i ka premtuar Kim se Koreja e Veriut do të hiqet nga lista e shteteve sponsorë të terrorizmit nëse heq dorë nga armët bërthamore.

Presidenti Donald Trump është shprehur se është ende e paqartë nëse samiti do të zhvillohet në këto kushte, por ai ka përsëritur se do të vijojë të këmbëngulë në çarmatimin e plotë të gadishullit korean. Në 22 maj, Trump do të presë presidentin koreano-jugor Moon Jae-in në Shtëpinë e Bardhë dhe të dy udhëheqësit priten të diskutojnë samitin e ardhshëm SHBA-Kore e Veriut.

/Ora News.tv/