Lideri i Social-Demokratëve Martin Schulz ka hequr dorë nga plani për të shërbyer si ministër i Jashtëm në koalicionin e ri qeverisës. Me shpresën se do të sigurojë mbështetje nga rradhët e partisë për marrëveshjen e arritur me konservatorët e Angela Merkel për qeverinë e re gjermane, Schulz deklaroi se ai nuk dëshironte debate lidhur me rolin e tij.

Kreu i Social-Demokratëve u përball me kritika të forta pasi ai lajmëroi se do të hiqte dorë nga detyra brenda partisë për të marrë nën drejtim Ministrinë e Jashtme, ndërkohë që në fushatën zgjedhore premtonte se nuk do të shërbente në një qeveri të udhëhequr nga zonja Merkel.

Kujtojmë se blloku konservator i kancelares siguroi një marrëveshje për koalicion me partinë e qendrës së majtë të Schulz, 4 muaj pas zgjedhjeve federale të mbajtura në Gjermani. Social-Demokratët do të sigurojnë 6 ministri nga kjo marrëveshje, përfshi këtu financat dhe punët e jashtme. 

Por shumë anëtarë nga rradhët e partisë së udhëhequr nga Schulz i tremben rihyrjes në koalicion me zonjën Merkel, për shkak se kjo lëvizje mund të dëmtojë partinë në afatgjatë. Në fund, janë 460.000 anëtarët e Social-Demokratëve të cilët do të vendosin nëse marrëveshja do të aprovohet ose jo, rezultat që pritet të shpallet më 2 mars.

/Ora News.tv/