Në 5 mars në skenën e Teatrit Kombëtar  të Operas dhe Baletit do të ngjitet tenori me famë botërore Saimir Pirgu për të prezantuar albumin "Il mio canto". Pirgu ka futur edhe Shqipërinë si pjesë e turit të tij botëror që pas Japonisë do të përfundojë në Nju Jork. Tenori, Saimir Pirgu, rikthehet në Teatrin Kombëtar të  Operas dhe Baletit ku do të interpretojë pjesë të albumit të tij të ri "Il mio Canto" ku përfshihen ariet më të bukura, ndërsa dirigjent i orkestrës do të jetë Maurizio Barbacani. Koncerti i cili vjen me mbështetje të bashkisë së Tiranës është pjesë e turit botëror të artistit në qytetet më të mëdha të botës; Tokio, Firence, Moskë, Vienë, Berlin, Paris dhe Nju Jork. Pirgu: Janë ariet më të bukura të repertorit botëror operistik dhe gjithashtu pothuajse se tre çereku i tyre janë ato çka unë këndoj nëpër teatro të ndryshme. Bëhen pjesë të repertorit tim. Kjo ishte ideja që "Il mio Canto" thotë vetë çdo gjë. Ardhja në Tiranë ka bërë që artëdashësit shqiptarët të nxitojnë në blerjen e biletave. Pirgu: Nuk dua të justifikohem me askënd por unë vetë nuk shes bileta si Saimir Pirgu dhe është një problem i madh sepse gjithë njerëzit më ankohen mua që ti nuk na ke thënë neve se ku ishin biletat.Për fat të keq Teatri i Operas dhe Baletit vetëm 800 vende ka. Pyetjes se kujt ia dedikon këtë koncert, Pirgu jep këtë përgjigje: Pirgu: Ideja ime është jo ti tregoj botës që unë jam Saimir Pirgu, por është ideja që unë të prezantoj veten dhe të lë një dokument. Do jetë apo nuk do të jetë një dokument që do të mbetet në histori, kjo i takon kohës. Koncerti i tenorit Saimir Pirgu do të mbahet në TKOB në 5 mars në orën 19:00.  

/Ora News.tv/