Saimir Tahiri në prokurori dorëzon provën vendimtare dhe thotë: Prisni dy-tre ditë e do dëgjoni...

Saimir Tahiri në prokurori dorëzon provën vendimtare dhe

Saimir Tahiri ka dorëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dokumente shtesë në lidhje me dosjen ku është i akuzuar si pjesë e grupit Habilaj. Jo zyrtarisht mësohet se dokumenti është një vendim i autoriteteve italiane për pushimin e hetimeve ndaj ish-Ministrit. Pas daljes nga Prokuroria, Tahiri tha se do te japë sqarime në ditët në vijim dërsa nuk i trembej faktit se mund të merrej i pandehur.

Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u paraqit të hënën në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, bashkë me avokatin e tij, Maks Haxhia.
Me kërkesën e tij Tahiri ka dorëzuar dokumenta shtesë në lidhje me dosjen ku është i akuzuar për bashkëpunim me grupin e vëllezërve Habilaj.

Pas daljes nga Prokuroria, Tahiri tha se prova që ka dorëzuar është deçizive për hetimin, ndësa sqaroi se nuk i frikësohej faktit se mund të merrej i pandehur.

Saimir Tahiri: Paraqita diçka që ka rëndësi deçizive për procesin. Do flas pas dy tre ditësh konkretisht. Dorëzova një provë që quhet deçizive.  Prisni dy tre ditë do e dëgjoni.

Pyetje: A keni frikë se do merreni si i pandehur?

Saimir Tahiri: Nuk kam frikë. Kërkoj mirëkuptimin tuaj. Kam mbi një vit që dëgjoj pafundësisht dhe kam heshtur prisni dhe dy- tre ditë.

Por veprimi i ish-Ministrit është komentuar nga Partia Demokratike. Në një dalje për mediat, Edi Paloka, tha se ky është një skenar i Edi Ramës për të mbyllur dosjen.

Edi Paloka: Kjo është alibia që Edi Rama i dha Saimir Tahirit dhe pas së cilës fshihet presioni që po i bëhet prokurorisë për të mbyllur çështjen.  Dorëzimi i gjoja provave të reja nga Saimir Tahiri është pjesë e skenarit të Edi Ramës për të përgatitur opinionin publik për mbylljen e çështjes së Saimir Tahirit.   Këtë që ka bërë sot Saimir Tahiri, e ka paralajmëruar Edi Rama më 16 tetor, kur njoftoi se cili do të jëtë fati i dosjes “Tahiri”.

Përsa kohë Edi Rama të jetë kryeministër, kryeprokuror dhe kryegjykatës, prokuroria do të vulosë vendimet e marra në zyrën e Edi Ramës.  Garantojmë Arta Markun, Donika Prelën dhe çdo prokuror që bëhet mburojë e pushtetarëve të lidhur me krimin të organizuar, se dita e drejtësisë do të vijë edhe për ta.   Arta Marku dhe Donika Prela nuk do të shpëtojnë dot nga përballja me drejtësinë as Saimir Tahirin, as Fatmir e Agron Xhafën, as Vangjush Dakon, as Taulant Ballën e aq më pak Edi Ramën.  

Jo zyrtarisht, mësohet se Tahiri ka dorëzuar në zarf një vendim të autoriteteve italiane të drejtësisë që kanë pushuar hetimet ndaj tij.

Ndërkohë me kërkesë të Prokurorisë shqiptare, Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë me tre muaj hetimet për ish-Ministrin e Brendshëm.


Prokuroria zgjati për të katërtën herë hetimet

Hetimet ndaj ish ministrit janë shtyrë deri me 17 janar në pritje të letërporosive.  Kjo është shtyrja e katërt e hetimeve ndërkohë që politika shqiptare “vlon” nga akuzat dhe kundërakuzat.

"Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi në hetim Mosi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij kanë bashkëpunuar me zyrtarët e lartë të policisë së shtetit, ku si person i dyshuar është dhe ish-ministri i Brendshëm në hetim Saimir Tahiri. 

Personi në hetim Moisi Habilaj në bashkëpunim me persona të tjerë duke përfituar nga lidhjet fisnore me ish-Ministrin e Brendshëm dhe kundrejt shpërblimeve të dhëna atij, kanë arritur të bëjnë të mundur kultivimin e sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike dhe transportimin e  tyre në mënyrë të organizuar me destinacion jashtë vendit".

Madje prokurorët shprehen se dyshojnë se Tahiri kishte dijeni dhe u siguronte paprekshmërinë.

Ish-Ministri i Brendshëm u akuzua prej opozitës si i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Kjo pas publikimit të përgjimeve të grupit "Habilaj" në Itali, ku emri i tij përmendej si personi që i mbështeste.

Në deklaratat për mediat, opozita akuzoi se Tahiri kishte udhëtuar me Habilajt në Greqi me automjetin që ai u kishte shitur më parë. Një tjetër akuzë ishte dhe udhëtimi i Tahirit me jaht drejt Malit të Zi.

Nga ana e tij, ish-Ministri i Brendshëm ka kundërshtuar akuzat teksa dorëzoi dhe mandatin e deputetit, ku kërkoi prej Prokurorisë një hetim të plotë.


EMISIONET