Irani ose organizata të tjera mbështetëse mendohet se sabotuan në fundjavë disa nga anijet-cisternë që po transportonin naftë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sulmi vjen pasi SHBA-ja javën e kaluar paralajmëroi se Irani po tentonte të destabilizonte transportin e karburanteve në rajon, si përgjigje ndaj sanksioneve ekonomike.

Arabia Saudite ka thënë se dy nga anijet-cisternë të saj kanë rënë pre e një sulmi sabotues në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Mësohet se dëme serioze kanë pësuar edhe katër anije të shteteve të ndryshme, ndërsa nuk janë raportuar viktima.

Ministria vendëse e Energjisë informoi se incidenti ndodhi të dielën në afërsi të portit të Fuxhairës, në një zonë ekskluzive ekonomike.

Mjetet e lundrimit po përshkonin Gjirin Arabik për të transportuar naftë për disa klientë në Shtetet e Bashkuara.

Ngjarja e fundit vjen pasi SHBA-ja javën e kaluar paralajmëroi se Irani dhe organizatat kriminale në mbështetje të tij po tentonin të paralizonin trafikun detar në rajon dhe tregun global të naftës.

Për këtë arsye, ushtria amerikane dërgoi një luftanije në Gjirin Persik si edhe dhjetëra aeroplanë gjuajtës-bombardues.

Vetë Teherani i dënoi të dielën sulmet ndaj anijeve saudite, ndërsa një komandant i ushtrisë iraniane komentoi se prezenca amerikane në rajon nuk shihet më si kërcënim por si objektiv i mundshëm sulmi.

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë rritur veçanërisht pas vendimit të Amerikës dhe së fundmi edhe Iranit për t'u tërhequr nga marrëveshja anti-bërthamore e vitit 2015.

Pakti historik që detyron Iranin të anulojë operacionet atomike kryesoi të hënën edhe axhendën e takimit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian në Bruksel e po ashtu takimin midis sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, me presidentin rus, Vladimir Putin.

/Ora News.tv/