Në kuadër të masave të shtuara që policia kufitare e Rinasit ka marrë për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë është arrestuar një shtetas, i cili ka tentuar të korruptojë punonjësen e Policisë Kufitare Rinas, me 50 Euro për të kaluar në hapësirën Schengen.

"Nga shërbimet e Policisë Kufitare  Rinas  u arrestua në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 të Kodit Penal, shtetasi: J. R.,18 vjeç, lindur në Burrel-Mat" thotë policia.

Arrestimi i 18 vjeçarit u bë  sepse pasi i është refuzuar dalja nga Republika e Shqipërisë nga punonjësit e PKK Rinas,  ka shkuar sërish të sportelet e daljes dhe ka tentuar të korruptojë punonjësen e Policisë Kufitare të planizuar me shërbim në këto sportele, me një shumë prej 50 euro, me qëllim që punonjësja e policisë ta lejonte të kalonte kufirin në drejtim të shtetit të Belgjikës.

 Shtetasi J.R kishte prerë edhe biletën e udhëtimit, në kundërshtim me rregullat për udhëtimin në hapësirën Schengen.

Materialet  i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë  për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia thotë se në drejtim të parandalimit të azilkërkimit, u është refuzuar dalja 88 shtetasve të cilët nuk plotësonin kriteret për të lëvizur në hapësirën Schengen.

Gjatë dy javëve të fundit në Rinas nga Policia Kufitare janë kapur 4 persona në kërkim për vepra të ndryshme penale për llogari të DVP-ve.

Janë proceduar penalisht 6 shtetas me dokumente të falsifikuara, 12 shtetas të proceduar për kalim të paligjshëm kufiri dhe 1 shtetas për mosdeklarim të hollash në kufi.

Ndërkohë janë përpunuar në hyrje dhe dalje 74 759  shtetas shqiptarë dhe të huaj.

/Ora News.tv/