Rusia ka shprehur shqetësime lidhur me operacionin ushtarak turk kundër milicive kurde në rajonin sirian të Afrin. Moska u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, duke shtuar se ishte "duke vëzhguar nga afër" situatën.

Fillimi i "Operacionit Dega e Ullirit" nga Ankaraja kundër milicive kurde që kontrollojnë rajonin sirian të Afrin ka ngritur shqetësime të thella në Rusi, tha të shtunën Ministria e Jashtme.

Moska u kërkoi të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të respektojnë integritetin territorial të Sirisë, duke theksuar rëndësinë e përqendrimit të përpjekjeve ndërkombëtare në procesin e paqes në vend pasi forcat kryesore të të ashtuquajturit Shtetit Islamik janë shtypur.

Më parë të shtunën, kryeministri turk Binali Yildirim konfirmoi se avionët bombarduan objektivat në Afrin dhe se tetë aeroplanë F-16 u përfshinë në operacion.

"Prej këtij momenti, forcat tona të armatosura kanë nisur ofensivën ajrore për të eliminuar elementët e PYD dhe PKK dhe [Shtetit Islamik] në Afrin," tha Yildirim.

Zyrtari i lartë kurd, Hevi Mustafa, tha se avionët turq kishin goditur zonat e banimit të Afrin, duke detyruar njerëzit të strehoheshin brenda shtëpive të tyre dhe në strehimore, sipas Reuters. Ai tha se disa njerëz të plagosur kishin ardhur në spitalet lokale për trajtim.

/Ora News.tv/