Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka deklaruar se Rusia nuk ka ndërhyrë në Siri për të fshirë provat në vendin ku dyshohet të ketë ndodhur një sulm kimik. Lavrov vendosi në pikëpyetje vendimin e fuqive për Perëndimit për të goditur Sirinë në ditën kur do të niste hetimi ndërkombëtar mbi sulmin e supozuar kimik.

Rusia ka mohuar kompromentimin e provave në vendin ku u krye sulmi i dyshuar kimik që çoi në ndërhyrjen ushtarake të fuqive perëndimore në Siri.

Në një intervistë për BBC, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se nuk ka ndodhur një sulm kimik në Siri, ndërkohë që vuri në dyshim përse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kryen sulme ajrore mbi Siri, pikërisht në ditën kur inspektorët ndërkombëtarë duhet të mbërrinin atje për të nisur hetimin zyrtar mbi sulmin e dyshuar kimik në Douma.

Lidhur me këtë ndërhyrje ushtarake ka folur edhe presidenti francez Emmanuel Macron. Në një intervistë të gjatë televizive, ai rrëfeu se e kishte bindur presidentin amerikan Donald Trump të mos tërhiqte trupat ushtarake nga Siria, por t’i angazhonte ata për një periudhë afatgjatë.

Macron pohoi se ai kishte ndikuar që presidenti Trump të kryente një numër të limituar goditjesh, në aksionin e përbashkët ushtarak mes SHBA-së, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Dy udhëheqësit kanë zhvilluar disa biseda telefonike përpara sulmit të koordinuar të ditës së shtunë.

Por më herët gjatë këtij muaji, presidenti Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin shumë shpejt nga Siria.

Pas komenteve të presidentit francez, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders deklaroi se misioni amerikan në vendin e përçarë nga lufta nuk ka ndryshuar.

“Presidenti ka qenë i qartë se ai do që forcat amerikane të kthehen sa më shpejt në shtëpi. Por ne jemi të vendosur ta shkatërrojmë tërësisht grupin e Shtetit Islamik dhe të parandalojmë rikthimin e tyre,” u shpreh Sanders.


/Ora News.tv/