Rusia kritikon qasjen e perëndimit ndaj Ballkanit

Rusia kritikon qasjen e perëndimit ndaj Ballkanit

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, tha se është e dëmshme politika perëndimore që u kërkon vendeve të Ballkanit të zgjedhin ndërmjet Rusisë dhe perëndimit. Ai i bëri këto komente në Lubjanë ku po qëndron për një vizitë para se të shkojë në Beograd.

Në një konferencë me gazetarë me shefin e diplomacisë sllovene, Karl Erjavc, ai tha se një qasje e tillë e perëndimit "kishte nxitur krizën në Ukrainë", ku sipas tij "së pari ndodhi grusht shteti jo kushtetues në vitin 2014 dhe ngritjen e radikalëve, përfshirë neonazistët".

Ai tha se tani "duan të tërheqin Ballkanin në lojën e njëjtë duke i detyruar që të zgjedhin nëse janë me Perëndimin apo Rusinë".

Duke folur në Slloveni, që është vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ai tha se kjo "nuk nënkupton që të shmangen kontaktet me vendet që nuk janë të përfshira në këto organizata ndërkombëtare".

Lavrov do të qëndrojë për një vizitë në Serbi, një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por që ruan lidhjet me Rusinë, në radhë të parë për shkak të qëndrimit të Moskës ndaj pavarësisë së Kosovës që u shpall dhjetë vjet më parë më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimi Evropian.

Derisa synon integrimin në Bashkimin Evropian, Serbia ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Zhvillimet politike në Evropën Juglindore gjatë vitit të fundit nxitën shqetësime në rritje për paqëndrueshmërinë e rajonit dhe ndërhyrjen e Rusisë e cila nuk i sheh më sy të mirë integrimet euroatlantike të vendeve të Ballkanit.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim në disa raste edhe për një qendër të emergjencave që Rusia menaxhon në qytetin e Nishit në Serbinë jugore. Disa grupe perëndimore dhe analistë ushtarakë e shohin si një bazë ushtarake të kamufluar që Kremlini e ka ngritur për të mbikëqyrur interesat amerikane në Ballkan.

Qendra ruse që u hap fillimisht në vitin 2012, gjendet relativisht pranë forcës paqeruajtëse të NATO-s, prej 4 mijë trupash në Kosovë. Pjesë e forcave ndërkombëtare në Kosovë janë edhe 600 ushtarë amerikanë.

Moska kërkon që personelit të saj t'i jepet imunitet diplomatik, ndërsa mohon çfarëdo veprimtarie të saj përveç trajtimit të emergjencave.VOA

EMISIONET