Marrëdhëniet ekonomike Shqipëri-Rumani kanë shënuar rënie. Aktualisht në vendin tonë operojnë vetëm 62 sipërmarrje ndërsa zëvendësministrja ka ftuar bizneset rumune të jenë më prezente në Shqipëri, sidomos në fushën e turizmit dhe bujqësisë.

Forumi i Biznesit Rumani-Shqipëri ka bërë bashkë sipërmarrësit, të cilët kanë bërë apel për bashkëpunim me qëllim rritjen e investimeve.

Gjatë takimit është vënë theksi te importi i produkteve bujqësore.

Gabriela Mihaela Voicila: "Marrëdhëniet midis dy popujve tanë duhet të rriten më tej. Mund të bëjmë tregti shumë të mirë midis nesh, të mbështesim prodhuesit dhe të rrisim eksportet sepse ju keni shumë prodhime bujqësore dhe ne kemi interes për të importuar. Ndërsa ne mund të ofrojmë një eksperiencë në fushën e IT".

Zëvendësministrja e Ekonomisë ftoi biznesin rumun në Shqipëri.

Albana Shkurta: "Turizmi, transporti, energjia, bujqësia, mjedisi, komunikimi dhe fusha e teknologjisë së informacionit, ishin disa nga sektorët ku të dyja palët u dakordësuan të vendosin në axhendat e tyre për bashkëpunimin në vijim".

Në aktivitet morën pjesë dhe 15 sipërmarrës rumun që kanë shprehur interesin për të investuar në Shqipëri.


/Ora News.tv/