Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u prit nga qindra arbëreshë në Qytezën e Portocanunit në rajonin e Molisës në Itali, ku rreth  2400 banorë ruajnë gjuhën shqipe, kulturën e traditat arbëreshe.

Në pritjen  e organizuar nga kryetari i bashkisë Giuseppe Caporiçi, Ruçi u vlerësua me titullin ‘Qytetar Nderi i Portokanunit’.

Në një ceremoni festive në sheshin Skënderbeu u vendos busti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti, dhuratë e Këshillit Rajonal të Qarkut të Tiranës, e realizuar nga skulptori i njohur Muntaz Dhrami.

I shoqëruar nga Kryetari i grupit parlamentar të PS Taulant Balla, deputetja  Mimi Kodheli, dhe nga  Kryetari i shoqatave rajonale Aldrin Dalipi, kryeparlamentari Ruçi zhvilloi  takim pune me Presidentin e Rajonit të Molises Donato Toma.

Gjatë këtij takimi u diskutua mbi marrëdhëniet mes 2 vendeve  dhe për perspektivat e programit ndërajonal IPA mes Italisë, Shqipërisë e Malit të Zi.

Në ditën e dytë të vizitës, Ruçi do të takohet me kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, Roberto Fico si dhe me kryetaren e Dhomës së Senatit Maria Elena Castellati.

/Ora News.tv/