Edhe këtë të enjte, parlamenti u mbyll si në 4 javët e kaluara, me fjalimin e kreut të demokratëve Lulzim Basha në Facebook dhe braktisjen e sallës nga opozita. Në fjalën e tij Basha u shpreh se negociatat nuk hapen pa zgjedhje të lira e të ndershme dhe për këtë ftoi qytetarët të dalin në protestë. Në kundërpërgjigje, Kryeministri i bëri thirrje qytetarëve se kush shkon në protestë është kundër integrimit të vendit.


Me të njëjtin skenar si në 4 javët e fundit, kreu i opozitës Lulzim Basha përfundoi fjalimin në parlament dhe së bashku me Partinë Demorkatike e braktisi atë. 

Në fjalimin e tij, Basha tha se me rastin Xhafaj Kushtetuta ka rënë. 

Sa për rezolutën që maxhoranca kishte sjellë për votim, Basha u shpreh se negociatat nuk hapen pa zgjedhje të lira e të ndershme.

Basha: E vërteta është se kushtetuta ka rënë, se Kodi Penal ka rënë, se Kodi i Procedurës Penale ka rënë, se ligji antimafia ka rënë. Negociatat nuk hapen pa e ndarë qeverisjen nga krimi. Nuk hapen negociatat pa zgjedhje të lira e të ndershme. Ju jeni tradhtarët e vërtetë të popullit, prandaj i ftoj të gjithë shqiptarët pa dallim, bashkohuni me qindra mijëra protestuesit ditën e shtunë me 26 maj ta clirojmë Shqipërinë nga qeveria e lidhur me krimin.

Mungesën në votimin e rezolutës, kryeministri Edi Rama e quajti si një dëshmi se opozita po punon kundër integrimit. Nëpërmjet foltores së Kuvendit, Rama u tha qytetarëve se kush shkon të shtunën në protestë, është kundër hapjes së negociatave.

Rama: Çdo shqiptar që nuk i do negociatat duhet të ikë në protestë patjetër, duhet të bëjë cmos të shkojë atje dhe të mos lëvizë që aty derisa t’ia arrijë qëllimit. Negociatat të mos hapen. Kush i do negociatat, duhet ta dijë që me ose pa dashje shkon aty për të kontribuar për të kundërtën.

Debati vazhdoi edhe jashtë sallës së kuvendit, ku kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i ftoi njerëzit në protestë si të vetmen zgjidhje për një Shqipëri më të mirë.

Kryemadhi: E vetmja zgjidhje është jo vetëm dalja në rrugë, por përmbysja dhe lëvizja e cdo segmenti kriminal që ka uzurpuar institucionet tona dhe për të dalë e për ti thonë Edi Ramës që ke ngelur vetëm se në fakt vetëm është.

Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ironizoi me protestën duke thënë se u thirr për shkakun e Babales.

 







/Ora News.tv/