Ruçi: Deri në qershor 2019 jemi në testim të gjithë pa përjashtim

Kryetari i  parlamentit Gramoz Ruçi ndodhet në një konferencë për shtyp me gazetaret në kuadër të vendimit të Keshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për caktimin e një date për hapjen e negociatave me Shqipërinë në qershor 2019

"Negociatat mund të ishin hapur edhe sot, por nëse ne do të vazhdojmë të jemi të qorollepsur nga pasioni e interesat politike, hapja e tyre shvlerësohet. Negiociatat janë të garantuara, kur ne,  shqiptarët, sillemi si palë e denjë negociatore dhe jo si sharlatanë. Deri në qershor 2019 jemi në testim të gjithë, si qeveria, edhe opozita." tha Ruçi.

Ruçi e quajti arritje.

"Të kesh një datë konkrete për hapjen e negociatave, qoftë edhe me kushte, dhe të fillosh procesin përgatitor për hapjen e tyre, është arritja më e rëndësishme në rrugën tonë drejt Europës. 

Kur të gjitha emocionet do të fashiten, kur të gjitha akuzat në emër të luftës politike do të ftohen, kur do të çlirohemi nga dallditë tona provinciale,  ajo që do të mbetet është data e negociatave, që shkëlqen në kalendarin europian: qershori 2019.  Tashmë nuk kemi thjesht një ambicje e proces, por një kalendar të detajuar të bashkëpunimit me Bashkimin Europian dhe hapave të ndërmjetëm deri në qershor 2019."


Keqardhja per opoziten

Gramoz Ruçi: "Jam i detyruar të shpreh keqardhjen se ndërsa parlamentet dhe qeveritë e vendeve të BE-së u ngritën mbi interesat politike dhe morën një vendim pozitiv udhëhapës për Shqipërinë, opozita jonë nuk vuri dot interesat e Shqipërisë mbi interesat e saj politike.

Ndër 27 qeveritë e vendeve anëtarë të BE, 15 prej tyre drejtohen nga parti të djathta ose të qendrës së djathtë, në disa të tjera e djathta është pjesë e qeverisjes. E pra, të djathtët europianë i njohin arritjet dhe e bëjnë për Shqipërinë zemrën më të madhe sesa vëllezërit tanë të djathtë shqiptarë! "

Vlereson Topallin, Meten e te tjeret

"Si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë shpreh vlerësimin e mirënjohjen për kontributin europaist të të gjithë paraardhësve që kanë shërbyer në këtë detyrë fisnike: Kastriot Islami, Pjetër Arbnori,  Skënder Gjinushi, Namik Dokle, Servet Pëllumbi, Jozefina Topalli dhe Ilir Meta."

Ruçi thirrje Rames

Ruçi i bën thirrje qeverisë të  thellojë e përshpejtojë reformat e ndërmarra dhe tregon sfidat e Kuvendit për këtë vit.

Gramoz Ruçi: Kuvendi po përdor çdo instrument të diplomacisë parlamentare në funksion të përshpejtimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Deri në qershor 2019 Kuvendi do të ndërmarrë një ofensivë të diplomacisë parlamentare me vendet anëtare për të bërë të munduar që arritjet e Shqipërisë të njihen me realizëm e në detaje.

Të njëjtën gje i kërkojmë edhe qeverisë: një bashkëpunim dypalësh produktiv me qeveritë e të gjitha vendeve anëtare.

Kuvendi i kërkon Qeverisë të thellojë e përshpejtojë reformat e ndërmarra.

Qeveria duhet të ndërmarrë hapa të mënjëhershëm për ngritjen e strukturave, mekanizmave dhe Sekretariatit teknik për përgatitjen dhe fillimin e negociatave. 

Çfarë i kërkon Këshilli Europian Shqipërisë deri në hapjen e negociatave?


  • Avancimin e mëtejshëm të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfundimin e të gjitha dosjeve prioritare dhe finalizimin e krijimit të strukturave të pavarura gjyqësore, siç parashikohet nga reforma kushtetuese;
  • Finalizimin e krijimit të organeve të specializuara: SPAK, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatës;
  • Forcimin e bilancit të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale, dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë nivelin e lartë.
  • Zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ ODIHR-it lidhur me zgjedhjet.
  • Reduktimin e numrit të aplikimeve për azil haptazi të pabazuara.

Këshilli ftoi Komisionin Europian të monitorojë përpjekjet e Shqipërisë për realizimin e reformave dhe të vlerësojë progresin e arritur në raportin vjetor të tij.

Pra, Këshilli i kërkon Shqipërisë, jo vetëm qeverisë së saj. Shqipëria është edhe opozita, edhe qytetarët, edhe media. Prandaj, në vend që të vazhdojmë zakonin tonë të vjetër të grindjes në të mirë e në të keq, ftoj të nxjerrim të gjithë përgjegjësitë përkatëse.

12 pikat e punes se kuvendit

Puna e Kuvendit do të përqëndrohet në masat e mëposhtëme:

1. Realizimi me sukses i objektivave të fazës së tretë të procesit të reformës në drejtësi, miratimi i 8 projektligjeve, pjesë e paketës së 27 projektligjeve të reformës në drejtësi si dhe 3 projektligjeve të tjera që janë tërhequr nga deputetët propozues. Me miratimin e tyre do të përmbyllet paketa e plotë e 27 projektligjeve të reformës në drejtësi;

2. Përmirësimi i kuadrit ligjor për zgjedhjet, përmes ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Realizimi i reformës zgjedhore është një detyrim për Kuvendin nga Raporti i KE-së i datës 17 prill 2018 dhe nga Konkluzionet e Këshillit të datës 26 qershor 2018. 

3. Plotësimi i vakancave në strukturat e reja të sistemit të drejtësisë (emërimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe përzgjedhja me short e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nëse kjo kompotencë nuk ushtrohet nga Presidenti i Republikës. Në konkluzionet e tij për Shqipërinë Këshilli thekson nevojën për “finalizimin e krijimit të strukturave të pavarura gjyqësore siç parashikohet nga reforma kushtetuese”.

4. Zgjedhja e 5 anëtarëve të Komisionit të Pavarur për koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ngritur me vendimin e Kuvendit Nr. 74/2018, datë 31.05.2018;

5. Fuqizimi i funksionit ligjvënës, nëpërmjet rritjes së angazhimit e të përgjegjësisë, zhvillimit të kapaciteteve për shqyrtimin dhe sigurimin e përputhshmërisë cilësore të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.

6. Rishkimi i kuadrit rregullator për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit europian; 

7. Përmirësimi i etikës parlamentare, përmes Kodit të Sjelljes së Deputetëve dhe miratimit të manualit shpjegues për zbatimin e Kodit;

8. Forcimi i rolit mbikëqyrës të Kuvendit dhe çështjet e integrimit europian, përmes kontrollit të zbatimit nga qeveria të detyrimeve që burojnë nga Raporti i KE-së për Shqipërinë për vitin 2018 dhe Konkluzionet e Këshillit të qershorit 2018.  

9. Ndërtimi i mekanizmit të ri për mbikëqyrjen e veprimtarisë së qeverisë gjatë procesit të negociatave, bazuar në praktikat më të mira europiane;

10.Garantimi i transparencës parlamentare përmes përfshirjes së të gjithë aktorëve joparlamentar në proceset legjislative;

11.Fuqizimi i kapaciteteve institucionale dhe modernizimi i shërbimeve të administratës së Kuvendit;

12.Forcimi i bashkëpunimit me Parlamentin Europian dhe parlamentet kombëtare të vendeve anëtare të BE-së.  ;

Së fundi,  por jo për nga rëndësia, forcimi i dialogut politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm ndërmjet mazhorancës parlamentare dhe opozitës do të jetë një nga prioritetet kryesore të Kuvendit gjatë periudhes deri në hapjen e negociatave të anëtarsimit në BE si dhe pas hapjes së tyre.



EMISIONET