Rruga e Kombit, sportelet ku do bëhet pagesa bëhen prej hekuri

Punimet për ringritjen e terminalit të pagesave në Rrugën e Kombit nga kompania koncesionare po vijojnë me ritme të shpejta dhe në koordinim edhe me qeverinë e cila sot prezantoi edhe skemën e tarifën për kalimin në Rrugën e Kombit. 

Siç duket edhe nga pamjet , kompania deri më tani ka vendosur tre sportele metalike. Ditët e fundit, kompania që do të menaxhojë rrugën po vijon punimet për rivendosjen e këtyre vendpagesave, si dhe rindërtimin e terminalit.

Sipas të dhënave të marra nga kompania, kjo e fundit po punon gjatë këtyre ditëve për instalimin e rrjetit elektrik dhe internetit, ndërkohë që tek terminali i ri po vendosen edhe pjesët metalike, konkretisht llamarinat e mbulesës.

Për pak javë do të jenë gati 10 korsitë dhe 9 sportelet, ku do të arkëtohet edhe tarifa e kalimit. Tarifa e rrugës së Kombit nisë së aplikuari me 17 shtator, menjëherë pas përfundimit të sezonit turistik.

Më 31 mars banorët e Kukësit i vunë flakën terminalit dhe sporteleve ku do bëhej pagesa duke kundërshtuar tarifën prej 5 euro që ishte vendosur për lëvizjen e makinave.


PAKETA LEHTESUESE PARASHIKON:

Tarifimi i automjeteve të banorëve të Qarkut të Kukësit

 Tarifë prej 100 lekë me TVSH për 1 kalim për të gjithë automjetet e regjistruara në Qarkun Kukës;

Tarifa e reduktuar do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 kalime në muaj dhe e vlefshme për tu përdorur brenda peridhës 1 mujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime;

Përdoruesit e Qarkut Kukës do të parablejnë  në mënyrë të përshkallëzuar deri në 44 kalime me këtë tarifë të reduktuar;

Kjo skemë tarifore do të aplikohet për klasën e automjeteve A dhe B për përdorim vetjak, të regjistruara në Qarkun Kukës;

Për automjetet e cilësuara më  lart, të regjistruara në Qarkun e Kukësit, do të marrin falas pajisjen elektronike Telepass dhe përmes saj do bëjnë rimbushjen e vlerës së kalimeve mujore sipas nevojës;

Tarifimi i autobusëve të linjës

 Janë identifikuar 11 Linja të licensuara autobusësh që kryejnë udhëtime nga dhe për në qytetin e Kukësit;

Për të eleminuar efektin e tarifës në koston e udhëtimit të banorëve të Qarkut Kukës, këto linja do përfshihen në skemën preferenciale;

Këto mjete do të kenë tarifë Kalimi prej 100 lekë me T.V.SH për 1 kalim;

 Tarifimi i përdoruesve të shpeshtë të rrugës pavarësisht vendosjes së tyre (kryesisht bizneset nga Shqiperia dhe Kosova):

 Nga 20 deri në 30 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 10%;

Mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 20%;

Mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 30%;

Mbi 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë  një zbritje në masën 40%;



EMISIONET