Rrudhet PS, në 46 bashki më pak vota se në 2015

Rrudhet PS, në 46 bashki më pak vota se në 2015

Pjesa më e madhe  e kandidatëve të PS-së kanë fituar votimet e 30 qershorit me më pak vota se në zgjedhjet vendore të vitit 2015.Rënia më e thellë e PS-së është shënuar në bashkinë e Durrësit, ku Valbona Sakollari numëron rreth 20000 vota më pak se paraardhësi i saj Vangjush Dako. Ndërkaq votimet e 30 qershorit kanë regjistruar dhe numrin më të lartë të votave të pavlefshme.

Pjesëmarrja në votimet e 30 qershorit preku shifrën e 21.6 për qind sipas KQZ.

Prej tyre vetëm në 15 njësi kandidatët e Partisë Socialiste morën një numër të barabartë ose më të lartë të votave, ndërsa në 46 të tjerat mbështetja ka qenë më e ulët krahasuar me vitin 2015, ku selia rozë ishte në koalicion edhe me LSI e PDIU.

Bashkia e Durrësit numëron rënien më të thellë të PS, drejtuesit e së cilës ishin pjesë e përgjimeve të dosjes "339", të publikuara në  gazetën gjermane "Bild".

Valbona Sako, fituesja e kësaj bashkie ka numëruar 21854 vota më pak se paraardhësi i saj, Vangjush Dako. Ndërsa 3029 vota janë regjistruar si të pavlefshme.

Në Dibër, ku përgjimet u përfshinë në dosjen "184", Dionis Imeraj ka numëruar rreth  -2037 vota më pak se në vitin 2015 kur fitoi Shukri Xhelili.

Dritan Leli ka fituar një tjetër mandat me rreth 2000 vota më pak, ndërsa të pavlefshme u shpallën 1854 vota.

Rakip Suli ka fituar në drejtimin e bashkisë së Kamzës me 11526 vota më pak sesa Safet Gjici, i cili kandidoi 4 vite më parë për të njëjtën zonë.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka arritur të ruaj votat e vitit 2015, duke marrë edhe 54 mijë votat e LSI-së.

Me rreth 5000 vota më pak se në vitin 2015 ka fituar dhe Pjerin Ndreu në kryesimin e qytetit të Lezhës.

Edhe bashkia e Kavajës numëron rreth 9000 vota më pak se në zgjedhjet lokale të 4 viteve më parë.

Në votimet e 30 qershorit,  më shumë se 3.549.909 shtetas kishin të drejtën e votës, por rezultatet paraprake sipas KQZ tregojnë se kanë votuar vetëm 21.6% e tyre.

EMISIONET