Në një kohë që rritja ekonomike gjatë 2019 pritet të ngadalësohet në 3.5 %, për të garantuar një ecuri pozitive, guvernatori i BSH, Gent Sejko bëri apel që institucionet të bashkëpunojnë dhe të garantojnë qëndrueshmëri në politikat fiskale.

Gent Sejko: Perspektivat e zhvillimit të vendit mbeten pozitive, por sfidat që kemi përpara nuk mungojnë. Adresimi i tyre kërkon vëmendjen dhe angazhimin e të gjithë politikëbërësve dhe agjencive rregullatore në vend. Në veçanti, në opinionin e Bankës së Shqipërisë, garantimi i rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë kërkon ruajtjen e fokusit mbi politika monetare dhe fiskale të orientuara drejt stabilitetit.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë ngriti si problem krizën politike dhe ndikimin e saj në ekonomi.

Arben Ahmetaj: Ka dalë në rrugë,  ka krijuar artificialisht një krizë për të penguar atë që i takon qytetarëve shqiptarë prej vitesh. Ekonomia i ka të gjitha risqet në kurriz për tu dëmtuar nga protestat, nga bllokimi i rrugëve.

Ndërkohë deputeti, Ilir Beqaj i kërkoi guvernatorit që të merren masa dhe të ulen kostot e blerjeve online.

Ilir Beqaj: Të merrni në konsideratë që çdo bankë e nivelit të dytë të ofrojë shërbimin e commerce requirements për klientët e tyre.

Gjatë 2018 ekonomia shqiptare pati një rritje mbi 4% si rezultat i prodhimit të lartë të energjisë elektrike.

/Ora News.tv/