Helmim nga uji në Bulqizë ? Rreth 100 persona në spital, qyteti në alarm

Helmim nga uji në Bulqizë ? Rreth 100 persona në spital, qyteti

Dhjetra banorë të Bulqizës dyshohet se u helmuan nga uji i pijshëm. 93 qytetarë mes të cilëve 24 fëmijë janë paraqitur në spitalin e qytetit me simptoma intoksikimi në harkun e 24 orëve të fundit.

I moshuari: "Helmim, më përzihej, të vjella".

Vajza: "Më përzihej".

Helmimi nga uji është dyshimi kryesor edhe për bluzat e bardha, por për shkakun zyrtar do të priten analizat.

Drejtori, Hazis Jella, thotë se piku i epidemisë ishte mbrëmjen e së shtunës.

Jella: Piku i epidemisë ka qenë mbrëmë në darkë rreth orës 8-9 të darkës. Nuk di të them me korrektësi se nga se mund të ketë ardhur por të gjithë vinë nga qyteti i Bulqizës, lagjja e vjetër.

Fluksi i pacientëve me shenja helmimi vjen nga lagjja e vjetër e qytetit të Bulqizës ku banorët thonë se linja e ujësjellësit është e amortizuar dhe mund të jetë ndotur nga miniera.

Banori: Uji nuk është i pijshëm, nuk konsumohet. Ka një shije të keqe, nuk është ai ujë që ishte.

Por Ujësjellësi ka dyshime që kjo situatë të jetë shkaktuar nga uji.

Ndaj për të sqaruar shkakun, ekspertët kanë marrë mostra të ujit që janë sjellë në Tiranë për analiza, ndërsa banorët janë urdhëruar të mos e përdorin ujin që u shkon në cezma.

Tregtari: E kanë mbaruar me sekonda se kishin frikë qytetarët të pinë ujë.

Në pritje të përgjigjes zyrtare për shkaqet e helmimit, banorët e Bulqizës mbeten në alarm, ndërsa numri i qytetarëve që shfaqin shqetësime vijon të rritet.

EMISIONET