Rrëzohet vettingu në politikë, mazhoranca voton kundër nismës së opozitës

Rrëzohet vettingu në politikë, mazhoranca voton kundër

Shumica rrëzoi pasditen e sotme në Kuvend draftin e propozuar nga opozita për Vettingun në politikë.Nisma u rrëzua me 74 vota kundër, ndërsa 52 votat e opozitës kanë shkuar pro nismës për amendamentet kushtetuese.Seanca  prej 7 orësh u shoqërua me debate.

 Parlamenti rrëzoi sot (21 dhjetor 2018) draftin e Partisë Demokratike për vettingun në politikë. Mazhoranca votoi me 74 vota kundër këtij projektligji, ndërkohë që drafti mori vetëm 52 vota pro.

Para votimit, kreu i Partisë Demokrtatike, Lulzim Basha, ju bëri thirrje deputetëve të mazhorancës që të votojnë ligjin që i hap rrugë vettingut për politikanët.

Basha tha se e vetmja zgjidhje që Shqipëria të dalë nga bataku ku është zhytur, është ndarja e politikës nga krimi.

Kryedemokrati madje tha se opozita është e gatshme të votojë të gjitha propozimet e mazhorancës për vettingun e politikës, mjafton që ajo të marrë dakordësi e Komisionit të Venecias.

Basha: 3 vjet më parë nga kjo sallë PD bashkë me qytetarët shqiptarë formuloi zgjidhjen e dekriminalizimit për një realitet të tmerrshëm. Persona me precedent kriminalë u sollën nga kreu i Rilindjes në këtë sallë si deputetë, u sollën në krye të bashkive të vendit, u bënë drejtorë. Merita e vetme e këtyre njerëzve nuk ishte artikulimi politik, e kundërta kishte ndodhur. Në shumicën dërrmuese të rasteve këta njerëz kishin qenë në burg, për shitjen dhe trafikimin e vajzave dhe nënave shqiptare, si në rastet, e Prengës, Roshit, Frrokut etj.

Fatura që shqiptarët paguan për këtë bashkim qelbësirash është para syve tuaj, ku për herë të parë më shumë se gjysma e qytetarëve duan të largohen. Aleanca e Ramës me krimin shkaktoi kaos në vend. Rama dhe kriminelët për dy vite me radhë i rezistuan dekriminalizimit. Me miratimin e këtij projekti qytetarët bënë të mundur që këta kriminelë të mos jenë më për 20 vjet në parlament dhe në administratë.

Por sot në këtë parlament dhe në krye të shtetit kemi ushtarët e krimit. Sot qeveria është e kapur nga krimi, sot kriminelët vendosit për gjithçka. Sot opozita ofron vettingun për politikën, i njëjti standard që u vendos për policët dhe prokurorët. Asnjë ndryshim nuk ka vettingu për politikanët nga ai për gjyqtarët, prokurorët dhe policët. Shqiptarët e kuptojnë që sot një vetting do të bëhet. Sot do të merret vesh se cilët politikanë duan të jenë mbi ligjin, sepse kanë frikë nga vettingu. Kemi një deputet Ergys Çyrbja i faktuar si anëtar i bandës së Shullazit, kemi Fatmir Xhafën që ndihmoi të vëllanë ti fshihej policisë italiane, kemi atë që do të vijë të flasë pas meje, i cili ka deklaruar personalisht miqësi me një kriminel të rrezikshëm, për të cilën u devijua shtrati i Lanës.

Kemi Alket Hysenin, Arben Ahmetajn ortak me inceneratorë, kemi Damian Gjikunurin i regjistruar duke bërë pazare me kriminelë, kemi dakon e 339-s, kemi Saimir Habilajn, vetë Erjon Velinë, kemi Edi Ramën, i cili është përfshirë drejtpërdrejtë në kontaktin me kriminelët e Shqipërisë. Kjo aleancë e ngushtë e Ramës me krimin ëhstë faktori kryesor i gjendjes në vend. Masa që propozojmë sot, është që nuk do të ketë asnjë sukses pa e nfdarë politikën nga krimi.

Nuk do të ketë sukses asnjë reformë, as reforma zgjedhore, për sa kohë sistemi i drejtësisë nuk ka çuar asnjë politikan prapa hekurave. Venecia ju ka kërkaur që të uleni dhe bashkë me opozitën të punoni që ligji për vettingun e politikanë të miratohet me konsensus. Këta nuk e duan vettingun, sepse për shumë prej tyre ky është fundi i karrierës politike. Sot i bëjë këtë apel të fundit që ta kalojnë këtë tet moral, këta që janë në të majtë dhe të bashkohen me ne për të votuar amendamentet kushtetuese.

Balla akuza Bashës: Shkon te banorët e 'Astirit' me makinën e 'Victoria Invest'

Në kundërpërgjigje, Taulant Balla, akuzoi Bashën se shkon çdo pasdite dhe takon banorët e "Astirit" me një prej automjeteve të firmës "Victoria Invest" që do ndërtojë segmentin e Unazës së Madhe nga Pallati me Shigjeta e deri te rrethrrotullimi i Doganës.

Balla: Kam një dosje, do ta jap kur të mbarosh. Çdo ditë ti shkon për të takuar banorët e Unazës me këtë makinë. Kjo tregon lidhjen tënde me kompaninë Victoria Invest, dhe të kujtoj që dhe një nga vajzat e tua e ka emrin Viktoria. Janë arsye të kumbarllëkut, kumbare e familjes tënde. Ngrije kokën ngrije.

Argumentat pro dhe kundër vettingut

Ashtu siç kundërshtuan njëri-tjetrin në Venecia për ligjin e vettingut në politikë, përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës i sollën argumentat pro dhe kundër në parlament.

Deputeti, Oerd Bylykbashi, theksoi se ky ligj do të pengojë hyrjen në parlament të kriminelëve.

Sipas tij, mazhoranca e refuzon këtë sepse është e lidhur me ta.

Oerd Bylykbashi: Prezantojmë amendamentet kushtetuese. Me këto amendamente mbyllet përfundimisht hapësira me të cilën ju menduat se mund të anashkaloni ligjin e dekriminalizimit, duke sjellë në parlament persona të cilët janë kandidatë për tu dënuar nga drejtësia penale.

Edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, numëroi arsyet pse Edi Rama nuk e do këtë ligj.

Monika Kryemadhi: Në fakt unë do të dëshiroja që këtij Vetting-ut në politikë t’i shtonim edhe atë analizën e drogës, t’ja marrin njëherë atë analizën e gjakut, se e meriton ai dhe ta shikojmë. Sepse një kryeministër që drogohet është peng i spaçatorëve. Mirë dje na kishte ardhur me antiplumb, por problemi është që ai njeri është edhe peng i mallit që i shesin, se varet se çfarë malli i shesin.

Ndërkohë sipas kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ky projektligj nuk është i nevojshëm dhe Komisioni i Venecias u shpreh qartë se është jo proporcional.

Ulsi Manja: Bie ndesh me nenin 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut që garanton të drejtën për një proces të rregullt ligjor, nuk ofron siguri ligjore, është joproporcionale, i mungon mekanizmi i zbatimit dhe ekziston mundësia e keqpërdorimit politik në dëm të kundërshtarit.

Ligji i vettingut në politikë është rrëzuar më herët në Këshillin e Legjislacionit nga deputetët e shumicës.

EMISIONET