58% e grave në Shqipëri nuk kanë qenë të punësuara të paktën për 12 muajt e fundit. Raporti i UNICEF tregon të dhënat e papunësisë në vendin tonë, ndërsa ekspertët thonë se popullsia shqiptare është e dekurajuar për të gjetur një vend pune.

Më shumë se gjysma e grave në Shqipëri janë të papuna, të paktën për vitin 2018. Një raport i UNICEF nxjerr në pah të dhënat mbi punësimin në Shqipëri, në të cilat nënvizon se 58% e grave të moshës 15-49 vjeç kanë deklaruar se nuk janë të punësuara dhe as kanë punuar gjëkundi gjatë 12 muajve të fundit.

Shifrat e raportit për papunësinë flasin për rreth 39% e burrave shqiptarë të moshës 15-49 vjeç, të cilët  nuk janë të punësuar dhe as kanë punuar gjëkundi gjatë 12 muajve të fundit.

Sipas ekspertit, Selami Xhepa, papunësia e popullatës, lidhet së tepërmi edhe me dekurajimin e njerëzve për gjetjen e një pune në vendin tonë.

Xhepa: Treguesit e vendit të punës vazhdojnë të mbeten shumë problem në Shqipëri dhe nuk bëhet fjalë vetëm për krijimin e vendeve të punës por edhe për cilësinë e vendeve të punës që është problem, produktivitetin e punës që është problem, migrimin e atyre që janë me aftësi të mira të zhvilluara për punë, të cilat kanë krijuar një lloj tharje të tregut të punës.

Sipas Xhepës, punësimi ka politika të munguara. Edhe bizneset private janë në ritëm të lartë të daljes nga tregu.

Xhepa: Kemi një ritëm të lartë të daljes nga biznesi të shumë sipërmarrjeve, në veçanti të bizneseve të vogla, ndërkohë që vendet e punës historikisht janë krijuar ose nga sipërmarrje shumë të vogla, nga bizneset mikro-ndërmarrje ose nga nga ndërmarrje shumë të mëdha.

Raporti i UNICEF vë në dukje se në vendin tonë përqindja e grave të punësuara është më e lartë te femrat beqare se sa ato të martuara në raportin 53 me 49%.



/Ora News.tv/