Pas 4 muaj qeverisje, ekzekutivi italian ka miratuar dekret ligjin mbi ekonominë e financën me një vlerë prej 27 miliardë euro e që përmban mjaft nga premtimet elektorale të forcave qeverisëse të koalicionit 5 Yje dhe Lidhja.

Liderët e këtyre dy forcave, Luigi Di Maio e Matteo Salvini e kanë etiketuar si "manovra ekonomike e popullit", "manovra e ndryshimit" , një reformë e plotë ekonomike në shërbim të italianëve duke u nisur nga reduktimi i taksave, ligji i ri pensionit, rritja e të ardhurave vjetore, nxitja e investimeve e mbi të gjitha vendosja e një raporti të ri mes borxhit publik dhe Prodhimit të Përgjithshëm Bruto që shkon në 2.4 %.

E pikërisht ky raport i ri borxh publik-PPB që duhet të mbahet në këtë nivel për të paktën për 3 vitet e ardhshme shqetëson Brukselin.

Është një sfidë ballore që i bëhet Komisionit Europian i cili ka vendosur kufirin 1.6 % të këtij raporti për çdo vend anëtar të BE.

"Rruga e Romës përplaset me Europën" e komentojnë "Financial Times" e "Wall Street Journal" manovrën ekonomike të sapo aprovuar në Itali, ndërsa "Bloomberg" vë alarmin se "target-i" 2.4% i vendosur nga Italia është mjaft i lartë me një rrezik të vërtetë për tregun financiar.

Për analistët ekonomikë nëse nga njëra anë kjo manovër ekonomike është kaq mbresëlënëse për Italinë, nga ana tjetër pasojat e saj mund të çojnë në aventura të panjohura.

Por për Minsitrin e Zhvillimit Ekonomik e zëvëndës/kryeministrin Luigi Di Maio aprovimi i dekretit të ligjit të ri mbi ekonominë është "një moment historik për Italinë".

"Sot Italia ka ndryshuar", është shprehur ai menjëherë pas aprovimit të saj.

Nëse konfirmohen zërat e përplasjes mes Romës e Brukselit mbi standardin e ri italian në raportin borxh publik-PPB, atëherë Komisioni Europian ka përballë dy alternativa: Të kthejë pas tekstin e manovrës ekonomike italiane e kjo do të ndodhte për herë të parë në historinë e BE, por që ka të drejtë ta bëjë në rastet e "shkeljeve të rënda të paktit të stabilitetit".

E në këtë rast manovra ekonomike italiane do të rikthehet në Parlamentin italian për një kohë 3 javore e pas të cilit do të merret në ekzaminim përsëri nga KE, rrugë kjo që mund të zgjasë deri në infinit.

Alternativa e dytë është hapja e një procedure shkelje ndaj Italisë për deficitin e lartë dhe që mund të shkaktojë një rritje të borxhit publik, pasi për Brukselin vendosja e kufirit 2.4% anullon çdo tentativë të reduktimit të borxhit apo stabilizimit të tij.

Sidoqoftë teksti i plotë i manovrës ekonomike do të jetë gati më 15 tetor e më pas do të shqyrtohet nen për nen dhe nga Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, e deri atëherë të gjithë janë në pritje të shohin sesi do të reagojë Brukseli por dhe tregjet financiare mbi këtë reformë të re ekonomike në Itali që sipas kreut të ekzekutivit Conte, "është hartuar për popullin e për të ardhmen ekonomike të çdo qytetari italian."

/Ora News.tv/