Rock-u i Bushpepës në Finalen e Madhe

Rock-u i Bushpepës në Finalen e Madhe

Një ditë para finales së madhe të Festivalit Evropian të Këngës në Lisbonë, Eugent Bushpepa dhe kënga e tij “Mall” është rrethuar si asnjëherë tjetër në përfaqësimet e Shqipërisë në këto edicione, me shumë admirim dhe bekime për fitore.

 “Mall” është një këngë rrok e shkruar larg Shqipërisë nga vetë Bushpepa. Ka një një lirikë të thjeshtë që komunikon drejtpërdrejt me energjinë, melodinë dhe zërin.

Komentuesit profesionistë gjatë gjithë turit që Bushpepa ka bërë në prag të Eurosongut, po edhe gjatë këtyre ditëve kur po mbahet festivali, e kanë komentuar përfaqësuesin e Shqipërisë si një pretendent i sigurtë për natën finale, midis 20 konkurrentëve nga gjithë vendet e Evropës.

Ka nga ata që thonë se këngën e Bushpepës mund ta pëlqesh, por jo ta duash, ka tjerë që vlerësojnë maksimalisht vokalin e tij që prek notat më të larta duke e krahasuar më yje të rrokut bashkëkohor si Aksël Rouz, apo zëra të bandave të njohura Metalika, Linkin Park… por “Mall” i Bushpepës është cilësuar si një nga prurjet më të mira për zhanrin e baladës rrok, që i ka munguar festivalit.

Dhe Eurosongu, një traditë që nis në vitin 1956, mbetet një festival i zhanreve të larmishme të këngës.

Gjatë këtyre ditëve në Lisbonë, Eugent Bushpepa, ka qenë në vëmendjen e medias ndërkombëtare e cila ka shprehur kuriozitet se nga vjen ky krijues dhe në çfarë gjendje është muzika e lehtë në Shqipëri.

Për të gjithë të vëmendshmit është pak e trishtueshme të dëgjojnë që një talent si Bushpepa nuk ka pasur kushtet e duhura të regjistrojë me nivel të kënaqshëm një album në Shqipëri dhe ta shpërndajë atë mjaftueshëm.

Festivali i Këngës në Radio-Televizion që e nxori fitues atë dhe bandën e tij, vërtet ka njohur rritje në vitet e fundit, por ky është vetëm një hallkë e zinxhirit të copëzuar të muzikës së lehtë shqiptare.

Ballafaqimet në nivel evropian kanë nxjerrë në dukje energjitë krijuese të artistëve shqiptarë, po aq edhe kufizimet e rënda të një sistemi që nuk funksionon.

Shqipëria përfaqësohet në Eurosong që prej vitit 2004 dhe arritjet më të larta i ka njohur me hyrjen në finale të Anjeza e Shahinit e Rona Nishliut e së fundi me Eugent Bushpepën.

Tek ky artist dhe jo tek flamujt kuqezi, janë nesër sytë dhe  veshët e qindra mijë shqiptarëve.

EMISIONET