Ikona e skenës teatrore dhe kinematografike shqiptare, Robert Ndrenika ka përshëndetur marreveshjen e arritur në negociatat mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësisë së komunitetit të artistëve për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar.

Nëpërmjet një mesazhi në Facebook, Ndrenika falënderon aktorët në këtë proces për rezultatin e arritur, ndërsa thekson që kjo frymë të shoqërojë më tej të gjithë diskutimin për ndërtimin e një teatri bashkëkohor.


Më poshtë mesazhi i plotë i aktorit Robert Ndrenika:


“Të nderuar zotërinj Arben Derhemi, Altin Basha dhe Alfred Trebicka.

I nderuar Kryetar i Bashkisë zoti Erion Veliaj!

Personalisht ju falënderoj për rezultatin e arritur! Ju sot shënuat fillimin e një marathone që le të shpresojmë do të përfundojë me ndërtimin e një Teatri Kombëtar bashkëkohor. Uroj që fryma e sinqeritetit, transparencës dhe mirëkuptimit midis jush, si përfaqësues të komunitet teatror dhe Bashkisë, të jetë deri në ditën e përurimit e më tej.

Përqafime!”.

Dje mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe artistëve u arrit marrëveshja për ndërtimin e godinës së re të Teatrit të ri Kombëtar. 

Marrëveshja garanton ndërtimin e një teatri të ri në pronën e Teatrit Kombëtar, pa kulla sipër, mostjetërsim të pronës së tij dhe përfshirjen e dy përfaqësuesve të artistëve në grupin që do negocioje zhvillimin e projektit. 


/Ora News.tv/