Pas largimit të Ben Blushit, partia LIBRA do t`i qëndroj besnik të njëjtit profil. Kryetari i ri Endri Tafani tha për Ora News se në fokus së punës së tij do të jetë riorganizimi i kësaj force politike. Vendimin e Komisionit të Etikës për largimin e Mimoza Hafizit Tafani i cilësoi të drejtë.

Dy themeluesit Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi nuk janë më pjesë e partisë LIBRA, por projekti do të vijojë nën drejtimin e Endri Tafani. Kryetari i ri, në studion e Ora News, theksoi se kjo forcë politike ka në fokus ristrukturimin e saj teksa siguroi mbështetësit se LIBRA do t`i qëndroj besnik të njëjtit profil duke qënë parti pranë qytetarëve.

Endri Tafani: "Jemi e vetmja parti e cila nuk jemi përlyer në gjithë këtë situatë që ka ndodhur. Nga të gjithë partitë e tjera politike ne kemi qenë ajo parti që është munduar që nga listat e veta të vijnë njerëz nga populli, që kanë qenë të papërlyer nga sistemi më përpara dhe pak a shumë ky do të jetë dhe profili i LIBRA-s në të ardhmen. 

Për momentin ne jemi të përqëndruar tek riorganizimi i LIBRA-s. Ka pasur një situatë kohët e fundit që ka bërë dëm deri në njëfarë mase por besoj që ka qenë një situatë që i ka bërë edhe mirë LIBRA-s."

Tafani pranoi se me largimin e Blushit dhe Hafizit LIBRA pësoi një goditje të rëndë. Por vendimin e Komisonit të Etikës për largimin e Mimoza Hafizit e cilësoi të drejtë.

Endri Tafani: "Personalisht nuk kam asnjë forcë mbi vendimin e Komisionit të Etikës dhe nga ana ligjore vendimi mu duk i bazuar. Veprimet që janë kryer janë të rënda. Nuk mund të ndikoj në atë vendim të Komisionit të Etikës."

Partia LIBRA u themelua nga ish-deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi, më 1 nëntor të vitit 2016 pas largimit nga kjo forcë politike. Aktualisht LIBRA përbëhet nga 10 mijë anëtarë.


/Ora News.tv/