Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon qeverinë për listën e re të barnave të miratuar ditët e fundit.

Sipas kreut të grupit parlamentar të LSI-së dhe ish-Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, sistemi shëndetësor është tronditur që në themel pasi sipas tij qeveria po i dënon të sëmurët me invaliditet.

Vasili: Qindra të sëmurë janë përjashtuar nga lista e barnave dhe një pjese të tyre iu është lejuar vetëm trajtimi i fëmijëve, për barna të caktuara që kanë të bëjnë me artritin, reumatizmin, sëmundje kronike të cilat shkaktojnë invaliditet me kalimin e kohës dhe kjo gjë është bërë vetëm e vetëm sepse paratë që shpërdorohen me konçensione në shëndetësi, nuk kanë mundësi më të mbështesin listën e barnave.

Kjo shëndetësi sot është përfundimisht tronditur në themelet e saj, në kolonat që kanë të bëjnë me integritetin e shërbimit spitalor, në integritetin e shërbimit parësor që ishte palca dhe shtylla kurrizore e sistemit,  i cili është kthyer në një sistem çfarëdo pa asnjë vlerë, pa asnjë peshë, të një shëndetësie e cila nuk flet më asnjë fjalë për sistemin epidemik të vendit, një shëndetësie e cila vetëm bën shoë-n e rradhës  me një medikament siç bëri kryeministri me herceptinën.

Sipas LSI, problemi me listën e barnave nuk është një shqetësim vetëm i opozitës por dhe i rrjetit të farmacive, të cilët janë lajmëruar mesnatën e së shtunës.

Vasili: Natën në mënyrë të fshehtë është miratuar në listë e re barnash e cila u është njoftuar edhe shërbimit farmaceutik, siç e dini në mes të natës, denoncuar nga vetë ky shërbim dhe jo nga opozita.

Më herët, Drejtori i Fondit të Sigurimit  Shëndetësor Eduart Ahmeti tha se nga kjo listë do të përfitojnë 475 mijë qytetarët dhe 10 mijë qytetarë vetëm nga barnat e reja në listë.

/Ora News.tv/