Skënderbeu-Flamurtari, kryesfida e kësaj jave në Kategorinë Superiore. Një takim që përkon edhe me rikthimin e Ilir Dajës, tashmë në stolin e Flamurtarit, për herë të parë pas largimit nga skuadra korçare. Një takim ku rivaliteti padyshim nuk ka munguar asnjëherë dhe e tillë, pritet të jetë edhe përballja e kësaj dite të diel.

Trajneri i Flamurtarit Ilir Daja në konferencën para ndeshjes ka vlerësuar kundërshtarin, Skenderbeun, ndërsa ka folur edhe për rikthimin e tij në Korçë, tashmë në postin e trajnerit të Flamurtarit. Daja komenton njëkohësisht edhe pritjen që do të ketë nga tifozët e Skënderbeut për të cilët ka vlerësim, ashtu si edhe ata ndaj vetë trajnerit. Por e rëndësishme mbetet ndeshja brenda 90 minutave.

Ilir Daja: "Nuk do të jetë një transfertë si të gjitha fushat e tjera, pasi është hera e parë që unë rikthehem në Korçë si kundërshtar pas largimit. Shkoj si kundërshtar, si trajner i Flamurtarit, por i kemi idetë e qarta që nëse duam të marrim rezultat pozitiv atje, duhet të djersimë shumë dhe të jemi të fortë nga ana psikologjike, për të menaxhuar ato vlera që ne kemi. Të flas për veten nuk është nga ato pjesë që më kënaq. Hera e fundit që kam qenë në Korçë ka qenë 27 maj dhe tifozët më kanë pritur jashtëzakonisht mirë. Ka qenë dhe 30 maj, por këtë herë ishim në Elbasan dhe kam pasur mbështetjen e tyre, ndërsa këtë herë shkoj si trajner i Flamurtarit. Me korrektësinë më të madhe më përfundoi kontrata atje dhe më pëlqente një sfidë e re dhe jam i kënaqur me zgjedhjen që kam bërë”.

Objektivi mbetet gjithmonë maksimumi. Kështu ka komentuar Ilir Daja,ndërsa ka prekur edhe temën e mungesave, ku sërish vlonjatët do të vuajnë edhe këtë të diel mungesat e formacionin titullar. Daja ka prekur edhe çështjen Kale, për brazilianin që  pas ndërprerjës së kampionatit,pra pas ndeshjes me Skënderbeun, do të ketë një zgjidhje përfundimtare.

Ilir Daja: "Tani nuk përbëjnë më lajm mungesat, sepse gjatë gjithë kohës nuk e kemi pasur asnjëherë kontingjentin e plotë. Ata që do hidhen në fushë nuk kanë nevojë për motivim, pasi në një fushë si e Skënderbeut, ku luhet futboll, të gjithë kanë dëshirë që të japin më të mirën e tyre. Ajo që na takon ne si staf duhet t’i përqendrojmë lojtarët te detyrat taktike, në mënyrë që loja të mos udhëhiqet nga doza emocionale, por me një logjikë sportive. Sipas informacioneve që kam edhe në ndeshjen e nesërme Kale nuk do të jetë pjesë e skuadrës. Do të shohim pas ndërprerjes së kampionatit, do ta shohim. Di vetëm që në ndeshjen me Skënderbeun nuk do të jetë”.-deklaroi Daja.

Edhe portieri Enea Koliçi e ka vlerësuar maksimalisht takimin, ndaj një kundërshtari mjaft cilësor. Por natyrisht objektivi i Flamurtarit mbetet maksimal në çdo ndeshje dhe përjashtim nuk bën as ndaj Skënderbeut.

Flamurtari do të vuajë sërish mungesën e Danilo Alvesh, ndërsa takimi luhet ditën e diel në orën 17.

/Ora News.tv/