Athina zyrtare reaguar me ashpërsi ndaj incidentit të ndodhur mbrëmjen e të hënës, kur një anije patrullimi turke ka goditur një anije tjetër, të rojave bregdetare greke.

Sipas Athinës, incidenti është shënuar brenda ujërave territoriale të Greqisë, në afërsi të ishullit shkëmbor Imia, që turqit i thonë Karadak.

Sipas kapitenerisë greke, nga përplasja, anija 090 ka pësuar dëmtime ndërsa nuk ka pasur të lënduar nga ekuipazhi prej 27 marinarësh.

Sekretari i përgjithshëm i ministrisë së jashtme greke i drejtoi një notë proteste homologut të tij turk. Nota thekson që “incidente të rrezikshme si ai i mbrëmjes së kaluar vënë në rrezik jetë njerëzore”, ndërsa i dedikohen “sjelljes provokative që po tregon shpesh ditët e fundit Turqia”.

“Turqia duhet të ndërpresë shkeljet e të drejtës ndërkombëtare dhe akteve që nuk ndihmojnë zhvillimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve”, thekson nota e ministrisë së jashtme greke.

Ditët e fundit tensionet mes Athinës dhe Ankarasë janë rindezur sërish, pasi në ishullin e Qipros kanë filluar kërkimet për naftë dhe gaz.

Mbrëmjen e të hënës gjithashtu u raportua se luftanije turke imponuan ndalimin e një sondë të gjigantit italian ENI, që po kryente shpime në bllokun 3 të zonës ekskluzive ekonomike të Qipros, ku mendohet se ka rezerva të mëdha gazi natyror.

/Ora News.tv/