Pas emocioneve të dhuruara nga kombëtarja, e cila regjistroi një fitore dhë një humbje në fazën kualifikuese të Euro 2020, të tjera adrenalina na presin në fundjavë. Kategoria Superiore do të zhvillojë javën e saj të katërt, të shtunën dhe të dielën e 14 dhe 15 shtatorit.

Plot 5 duele emocionuese, të cilët pritet të gozhdojnë përpara televizorit të apasionuarit e futbollit. Një duel mjaft i bukur, të paktën në letër premtohet në "Selman Stërmasi", aty ku Tirana kryesuese pret skuadrën që ka bërë historinë e futbollit në vend në vitet e ardhshme, Skënderbeun.

Dy ekipe që shpresojnë ta mbyllin me trofe sezonin e sapo nisur do të masin forcat në një 90 minutësh që premton spektakël, gola dhe emocione të mëdha. Ndërkohë, drejtuesit bardheblu kanë nxjerrë në shitje edhe biletat për këtë duel.

Një vend në shkallët e stadiumit mund ta sigurosh me një shifër modeste, nga 200 lekë të reja deri në 1000 lekë të reja në tribunat A dhe B. Për tifozët që vendosin të vijnë nga Korça, bileta do të kushtojë 300 lekë të reja. Takimi mes Tiranës dhe Skënderbeut do të luhet të shtunën e 14 shtatorit në orën 16:00.

"Te shtunen Tirana - Skenderbeu, ora 16:00, vetem bardheblu!
Biletat ne shitje nga dita e Enjte!
➡️ Tribuna A,B – 1000 Lekë të reja
➡️ Tribuna D, E, F, G – 200 Lekë të reja
➡️ Tribuna C, H (Sektori Mik) – 300 Lekë të reja
"-thuhet në njoftimin e klubit. 
 



/Ora News.tv/