Emri, rifillojnë të enjten në Nju Jork negociatat Athinë – Shkup

Emri, rifillojnë të enjten në Nju Jork negociatat Athinë

Athina dhe Shkupi fillojnë në Nju Jork një raund të ri negociatash për zgjidhjen e çështjes së emrit, pasi ka dështuar edhe oferta që fqinji i Greqisë të emërtohet “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”.

Ministrat e jashtëm Kotzias dhe Dimitrov do të takohen të enjten dhe të premten në praninë e të dërguarit të posaçëm të OKB-së Matthew Nimetz, ndërsa paralelisht do të mblidhen edhe grupet e ekspertëve.

Ministri i Jashtëm grek që ndodhet prej disa ditësh në Shtetet e Bashkuara, tha se e diskutoi gjerësisht këtë çështje me ndihmës sekretarin e shtetit, Wess Mitchell.

“Nuk na bëhet asnjë presion dhe as pranojmë të na bëhet presion. Por pala amerikane interesohet jashtëzakonisht dhe po përpiqet të kuptojë se në ç’pikë ndodhen negociatat dhe cilat janë pikat e vështira”, u deklaroi  Kotzias gazetarëve grekë që e shoqërojnë.

Kotzias dha edhe disa detaje të pakta mbi përmbajtjen e një dokumenti që Athina ka përgatitur dhe që do t’i paraqitet Shkupit.

“Kemi inkuadruar edhe dokumentin juridik që ka përgatitur zoti Nimetz dhe kemi bërë një tekst të plotë, ku pjesa e dytë i dedikohet bashkëpunimit të ardhshëm Greqi-GYROM. Domethënë perspektiva në çështje si arsimimi, kërkimet shkencore, etj. Pjesa e parë ka të bëjë me çështje që lidhen me emrin, sidomos me irredentizmin që duhet të mbarojë një herë e mirë. Gjithashtu një kapitull për pranimin e gjithë realiteteve juridike ndërkombëtare siç janë kufijtë dhe moscënimi i tyre, se nuk mund të bëhet propagandë nga asnjë prej palëve apo t’i jepet terren propagandës kundër palës tjetër”, tha Kotzias.

Edhe pse nuk pritet që bisedimet e Nju Jorkut të prodhojnë një rezultat impresionues, Athina dhe Shkupi rreken të ruajnë tempin e negociatave. Përndryshe, kjo është dhe një dëshirë e partnerëve të fuqishëm. Pas telefonatës me nënpresidentin amerikan Mike Pence, kryeministrit Tsipras i ka telefonuar orët e fundit edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, për t’i shprehur interesimin “e zjarrtë” të Gjermanisë për zgjidhjen e çështjes së emrit.

EMISIONET