Autoritetet franceze kthyen në Rinas 60 shtetas shqiptarë, pas refuzimit të kërkesës për azil. Ky është avioni i dytë brenda 1 jave pas kthimit të grupit të parë me 200 azilkërkues, të cilët kanë shkelur rregullat e migracionit në Francë.  

Zv/ministrja e Punëve të Brendshme Rovena Voda, e shoqëruar nga Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Eduart Merkaj, u kërkoi shqiptarëve të ndjekin rrugën e duhur për të emigruar jashtë vendit.

Voda: Gjithë qytetarët e Shqipërisë që të respektojnë lëvizjen jashtë territorit në zonë shengen. Kjo për faktin se është një kosto e madhe për ta. Është një rrugë jo e drejtë dhe nuk i çon asgjëkund, penalizohen dhe nuk lejohen të udhëtojnë në shtetet e zonës Shengen.

Nga ana tjetër drejtori për kufirin dhe migracionin, Eduart Merkaj u shpreh se autoritet shqiptare janë duke zhvilluar fluturime dhe shkëmbyer informacione dhe me shtete të tjera, që sipas tij më herët nuk kanë ekzistuar.

Merkaj: Kemi zhvilluar fluturime dhe shkëmbyer informacione dhe me shtete të tjera, informacione të cilat më parë nuk kanë ekzistuar. Në bazë të vizitave të drejtorëve të kufirit në shtete të ndryshme ku mund të shkëmbehen informacione të ndryshme për çdo shtetas që shkel rregullat e emigrimit në zonën Shengen.

Shqipëria zë vendin e dytë në Francë për sa i përket kërkesave për azil.

/Ora News.tv/