43.2% e bizneseve të kontrolluara kanë rezultuar me shkelje. Administrata tatimore thekson se një ndër shkeljet kryesore vijon të mbetet moslëshimi i kuponit tatimor.Ndërkohë në sektorin e hidrokarbureve i është vënë shiriti i bllokimit të aktivitetit 3 subjekteve.

Bizneset shqiptare vijojnë të mos lëshojnë kupon tatimor, pavarësisht aksionit anti-informalitet.

Nga kontrollet e realizuara në dy muaj, administrata tatimore ka konstatuar se 43.2 % e subjekteve  janë me shkelje, midis të cilave kryesore mbetet  moslëshimi i kuponit.

Përgjegjësi i sektorit të monitorimit në terren, Eduart Aliaj, thekson se  39 subjekte janë bllokuar për moslëshimin e  kuponit tatimor për herë të dytë.

Eduart Aliaj: Gjatë periudhës 4 korrik-27 gusht janë kryer 4.018  kontrolle nga të cilat janë konstatuar 1,736  shkelje të legjislacionit tatimor. 456 tatimpagues janë penalizuar për moslëshim të kuptonit tatimor rasti i parë dhe  39 subjekje rast i përsëritur për të cilat merret dhe masa e bllokimit të aktivitetit 30 ditë kalendarike me shirita.

Aktualisht kontrollet janë fokusuar në sektorin e hidrokarbureve, ku numri i subjekteve të kapura me shkelje është më i vogël.

Eduart Aliaj: 538 kontrolle në subjekte të  fushës së hidrokarbureve ku janë konstatuar 12 subjekte që kanë shkelur legjislacionin tatimor, 3 prej të cilave kanë kryer shitje në regjim manual dhe është marrë masa e bllokimit të shitjeve.

Administrata tatimore thekson se aksioni antiinformalitet do të vijojë të përqëndrohet në bregdet dhe në sektorin e karburanteve.

Aksioni 4 Korrik – 27 Gusht

4.018  Kontrolle gjithsej

1,736  Shkelje të ligjit

/Ora News.tv/