Drejtuesit e portaleve nuk e kanë pritur mirë vendimin e Kryeministrit për regjistrimin e këtyre mediave brenda ditës së hënë. Ata thonë se ky veprim cënon lirinë e fjalës ndërsa kërkojnë nga qeveria të jetë po aq transparente me kanalin e saj televiziv.

Mediat dhe portalet online duhet të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Bizneseve.

Ultimatumi është dhënë nga kryeministri Edi Rama, i cili u ka lënë afat drejtuesve të tyre ditën e hënë.

Nga ky vendim i komunikuar përmes rrjeteve sociale preken edhe ato portale që nuk janë krijuar me qëllim fitimin dhe që do të duhet të paguajnë taksa njëjtë me ato që përfitojnë të ardhura.

Për disa prej drejtuesve, ky vendim cënon lirinë e shprehjes.

Gjergj Erebara: Çdokush ka të drejtë të hapë një blog dhe nuk besoj se do të jetë Kryeministri që do e ndalojë. Në rastin që Kryeministri do të marrë ndonjë vendim, ndonjë udhëzim që teknikisht është e mundur, atëherë do të kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë të lirisë së shprehjes dhe do ta trajtojmë si shkelje të lirisë së shprehjes.

Të njëjtën transparencë kërkojnë edhe nga kanali televiziv i qeverisë apo mediave të tjera rreth saj.

Gjergj Erebara: Vetë ekzistenca e ERTV-së është shumë e çuditshme nga pikëpamja ligjore, a është institucion publik apo është zyrë private e Kryeministrit, sa njerëz ka të punësuar, kush ua paguan rrogat, a paguajnë sigurime shoqërore? Të gjitha këto janë pyetje që duhet të ngrihen para së gjithash për portalin e propagandës së Kryeministrit.

Erebara thotë se blogu i tij do të vijojë të jetë i aksesueshën për ndjekësit edhe pas të hënës dhe nëse do të vendoset mbyllja e tij, ai do të ndjekë rrugën ligjore.

Gjergj Erebara: Unë nuk kam ndërmend të regjistroj blogun tim në QKR sepse nuk kam të ardhura nga ai blog dhe nuk kam aktivitet biznesi.

Regjistrimi i portaleve do të jetë pika nga ku do të nisë paketa antishpifje e propozuar nga mazhoranca disa ditë më parë.

/Ora News.tv/