Duhej të ishte një shembull për të rinjtë, por veprimi i tij i fundit duhet të shqitet sa më shpejt nga memoria. Laurent Koscielny ka refuzuar të udhëtojë me shokët e tij te Arsenali drejt Shteteve të Bashkuara për turneun para sezonal, duke hedhur dyshime se sezoni i mbyllur ishte i fundit si "topçi".

"Ne jemi shumë të zhgënjyer nga veprimet e Laurent , të cilat janë kundër udhëzimeve dhe rregullores sonë. Shpresojmë ta zgjidhim këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur."-thuhet në një deklaratë për shtyp të londinezëve.  

Mbrojtësi francez dëshironte që të prish me konsensus kontratën që i skadon në verën e ardhshme, në mënyrë që ai të bashkohet me një ekip në Francë.

Koscielny, 33 vjeç, u bashkua me Arsenalin në vitin 2010 nga Lorient dhe aktualisht ka një vit të mbetur në kontratën e tij. Skuadra e Unai Emery fluturoi në Shtetet e Bashkuara të enjten pa kapitenin e tyre dhe do të luajë kundër Colorado Rapids, Bayern Munich, Roma dhe Real Madrid gjatë turneut të tyre këtë verë.

/Ora News.tv/